Arbëri

Vlerësohet i ulët niveli i sigurisë në punë, 7 mijë punëtorë me 80 euro në muaj

Është publikuar profili i Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, i cili konstaton se siguria e punëtorëve në vendin e punës nuk është në nivelin e duhur. Qeveria ka premtuar se do të ndërmarrë masa, si shtimi i numrit të inspektorëve. Është vlerësuar se shumë punëtorëve të sektorit privat u rrezikohet shëndeti në punë, ndonëse sivjet është shënuar rënie e numrit të aksidenteve me fatalitet.

Niveli i sigurisë në vendet e punës së sektorit privat vlerësohet në nivel jo të duhur.

Kjo është bërë e ditur nga Organizata Ndërkombëtare e Punës gjatë publikimit të dokumentit lidhur me profilin për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Për përmirësimin e gjendjes, Qeveria është zotuar se do të ndërmarrë masa.

“Disa nga masat që do t'i ndërmarrim janë shtimi i numrit të inspektorëve të punës, avancimi i kapacitetit të Agjencisë së Punësimit, njohja e punës përkatëse si përvojë pune, ngritja e kapaciteteve për shqyrtimin e ankesave nga punëtorët, pushimi i lehonisë dhe pushimi prindëror”, ka thënë zëvendësministri i Financave, Ilir Kapiti.

Inspektorati i Punës ka premtuar përkushtim për të parandaluar aksidentet dhe vdekjet në vendet e punës.

“Gjatë këtij viti krahasuar me periudhën e vitit të kaluar, aksidentet në punë me fatalitet janë në zvogëlim e sipër, por kjo nuk do të thotë që ne të jemi të kënaqur, sepse është shtuar intensiteti punës në terren dhe besojmë që mekanizmat tanë ligjorë dhe ata institucionalë të jenë në kapacitetet e duhura që t'i parandalojmë aksidentet me fatalitet në vendet e punës”, ka thënë kryeinspektori i Inspektoratit të Punës.

Përveç rrezikut në vendin e punës, punëtorët e sektorit privat në Kosovë përballen edhe me paga të vogla. 

Sipas Bashkimit të Sindikatave të Pavarura (BSPK) mbi 7 mijë punëtorë marrin vetëm nga 80 euro në muaj, ndërsa mbi 200 mijë tillë kanë pagë rreth 170 euro në muaj.

“Ne, qe një kohë të gjatë nuk mund të takohemi dhe të bisedojmë me Këshillimin Ekonomiko Social. Kemi shumë probleme që duhet t'i zgjedhim, dhe kjo është shumë me rëndësi për arsye se ne kemi një pagë minimale që është shumë diskriminuese”, është shprehur Atdhe Hykolli, nënkryetar i BSPK-së.

Qeveria Kurti ka premtuar rritjen e pagës minimale nga 170 euro sa është aktualisht në 250 euro, ndonëse sindikatat e punëtorëve kërkojnë që ajo të jetë 300 euro.