Dialogu

Vlerësohet gabim vënia e Asociacionit si prioritet nga Lajçaku e Escobari

Me gjithë pritjet e larta që patën vënë si emisarë, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, nuk ia kanë dalë që t’i shtyjnë palët drejt zbatimit të marrëveshjeve për të cilët janë dakorduar në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Njohës të këtij procesi, tek i kanë listuar gjërat që kanë shkuar gabim, kanë përmendur Asociacionin e komunave me shumicë serbe si nyjë që ka çuar në bllokadë të zbatimit të marrëveshjeve, pasi që presioni është përqendruar vetëm ndaj Kosovës

Përpjekja e emisarëve euro-amerikanë për t’u dhënë fund mospajtimeve midis Kosovës e Serbisë ka rezultuar e dështuar dhe dialogu ka mbetur nën hijen e tensioneve në veriun e populluar kryesisht me shumicë serbe.

Ani se palët janë zotuar gojarisht për zbatim të marrëveshjes që bazohet në planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, zbatim të saj jo që nuk pati zbatim, por situata ka përshkallëzuar me protestat më të dhunshme vitet e fundit në veri dhe me një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, në të cilin ka mbetur i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku e tre pjesëtarë nga grupi sulmues. 

Për pasojë si emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun, Miroslav Lajçak, ashtu edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në përfundim të mandateve të tyre janë marrë me menaxhimin e krizës.  

Daniel Serwer, eksperti amerikan për Ballkanin, ka thënë se Escobari e Lajçaku kanë dështuar në misionin e tyre, edhe pse janë diplomatë me përvojë. 

“Mendoj se disa gjëra shkuan gabim. Njëra prej tyre ishte se evropianët dhe amerikanët i premtuan Beogradit se do të kenë prioritet krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe brenda Kosovës. Ata përfunduan pa përparim të rëndësishëm në atë prioritet të gabuar. Ata nuk e morën parasysh leximin e marrëveshjes së vitit 2013, që thotë se Serbia duhet të bëjë shumë gjëra në këmbim të Asociacionit”, ka thënë Serwer. “Pra, Serbia ishte pajtuar që serbët të marrin pjesë në institucionet e Kosovës por ata sfiduan rendin kushtetues. Marrëveshja është marrëveshje, nuk është gjë e cila i përket vetëm njërës palë. Sipas mendimit tim ata (emisarët) i patën synimet e larta. Për normalizimin politik, (presidenti serb, Aleksandër) Vuçiq e ka bërë fare të qartë se nuk është i përgatitur për asnjë lloj normalizimi politik me Kosovën dhe as ta njohë Kosovën e pavarur”. 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Vuçiq më 27 shkurt janë pajtuar rreth dokumentit 11-pikësh të BE-së dhe pas një muaji edhe për Aneksin e Zbatimit të dakorduar në Ohër, por kanë munguan nënshkrimet. Sipas marrëveshjes, Serbia nuk do të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Në këtë marrëveshje po ashtu thuhet se “palët nuk kanë të drejtë të inkurajojnë tjerët të bllokojnë rrugën e njëra-tjetrës drejt BE-së”. 

Por pasi Kosova e ka deponuar aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE) pas një shterpësie disavjeçare në aplikime, marrëveshja është shkelur nga ana e Serbisë. Veç votës kundër, Beogradi zyrtar ka kërcënuar edhe anëtarët tjerë që kanë votuar pro aplikacionit të Kosovës.  

Me nenin 7 të Marrëveshjes Bazë është rikonfirmuar se Serbia e fiton ngritjen e Asociacionit, që vijoi t’i thellojë mospajtimet mes Qeverisë Kurti dhe Perëndimit.   

Liderë shtetërorë kanë pranuar se Kosova ka bërë lëshime jo të lehta duke paralajmëruar se fjalën e fundit për marrëveshjen duhet ta thotë Kuvendi. Por veç diskutimeve dhe përplasjeve rreth dialogut, ka munguar vendimmarrja në institucionin ligjvënës rreth këtij dokumenti. Pas prezantimit të draftstatutit të Asociacionit nga BE-ja, Kurti e ka kushtëzuar atë me nënshkrimin e të gjitha dokumenteve të dialogut të Brukselit. Krahas kërkesës për shtensionimin e situatës, ndërkombëtarët vazhdojnë ta shohin Asociacionin si çelës për zgjidhjen e problemeve.

Por Kurti nuk është tërhequr as pas kushtëzimit nga vendet e QUINT-it që draft-statuti t’i përcillet për interpretim Gjykatës Kushtetuese, në këmbim të mbështetjes për anëtarësim në KiE.

Sipas Serwerit, qasja e emisarëve nuk ka qenë balancuese në raport me palët, teksa ka treguar rrethanën se kur do të mund të themelohej Asociacioni.   

“Perëndimi ka vendosur të tolerojë Beogradin dhe u përpoq ta detyrojë Kurtin të bëjë gjëra. Kjo nuk ka funksionuar. Paqja nuk ka funksionuar dhe as tentativa për të bërë presion ndaj Kurtit nuk ka funksionuar. Sipas meje, Asociacioni duhet themelohet vetëm me njohjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës nga ana e Serbisë. Përndryshe, ai paraqet rrezik për shtetin e Kosovës. Mendoj se është fatkeqësi ajo për të cilin ishin pajtuar në vitin 2013, por megjithatë ka ndodhur dhe tani duhet të përmbushet, por kur shteti i Kosovës të njihet nga Serbia”, ka deklaruar Serwer. 

Edhe pse nuk kanë zbuluar hollësi, BE-ja e SHBA-ja kanë paralajmëruar së fundi strategji të reja në dialogun Kosovë-Serbi. Në Washington, një diskutim për këtë është zhvilluar mes ndihmëssekretarit amerikan, James O’Brien, e dy emisarëve në largim, Escobar e Lajçak. 

Nikoqiri i takimit, ndihmëssekretari amerikan i shtetit O’Brien ka thënë se SHBA-ja e mbështet dialogun si rrugë drejt marrëdhënieve paqësore e produktive. E sipas Lajçakut, rruga përpara në dialogun Kosovë-Serbisë e çështjet e tjera në Ballkanin Perëndimor kanë qenë tema diskutimi me O’Brienin e Escobarin.

Emisari amerikan Escobar nuk ka shpalosur hollësi nga ky diskutim, por në një audio-konferencë me gazetarët të mërkurën ka deklaruar se ka pritur më shumë përparim në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, tek e ka përmendur edhe çështjen e dinarit.

“Do të kemi një diskutim rreth vendimit për dinarin e Kosovës, dhe se si do të vazhdojmë të ecim drejt krijimit të një procesi transparent, elektronik të sektorit privat për t'u lejuar njerëzve që kanë të drejtën e përfitimeve nga Serbia t'i marrin ato në Kosovë”, ka thënë ai.

Vitin e kaluar kanë munguar edhe takimet e nivelit të lartë dhe ato janë zhvilluar në nivel të kryenegociatorëve. Pesë takime janë mbajtur vetëm për të diskutuar ndikimin te komuniteti serb nga zbatimi i Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila njeh vetëm euron si valutë zyrtare për operacione me para të gatshme. Por ende nuk është arritur një zgjidhje.

Dy emisarët - Lajçak e Escobar, së shpejti do të largohen nga detyrat e tyre. Lajçaku pritet që nga 1 shtatori të vazhdojë si ambasador i BE në Zvicër, ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka njoftuar se për pak javë Escobari do të marrë detyrë të re.

E pavarësisht se kush i pason ata në detyrë, Serwer ka folur për domosdoshmërinë e ndryshimit të qasjes në dialog. 

“Mendoj se ndryshimi i qasjes në dialog është i nevojshëm dhe qëllimi duhet të jenë marrëveshjet praktike mes Prishtinës dhe Beogradit. Dialogu teknik para vitit 2013 ka qenë shumë më i suksesshëm sesa dialogu politik, edhe nëse i llogarisim disa prej marrëveshjeve që nuk janë zbatuar. Tani një nga prioritetet është çështja e dinarit, si të bëhet financimi i Serbisë në Kosovë më transparent. Është problem praktik që duhet të negociohet në fazën e ardhshme, por ka edhe shumë çështje të tjera”, është shprehur Serwer. 

Me largimin e emisarëve nuk ka sinjale se Kosovës do t’i hiqen edhe masat sanksionunese. Kur tensionet shpërthyen në veri vitin e shkuar, Kosova është mbajtur përgjegjëse duke bërë që BE-ja për herë të parë t’i vendos sanksione.

Mungesa e vendimmarrjes nga BE-ja drejt heqjes së tyre pavarësisht veprimeve të Qeverisë për shtensionim është parë si levë presioni për t’u siguruar se nuk do të ketë tensione të tjera në veri. Por Serwer nuk i përjashton ato, po qe se dialogu vazhdon me këtë dinamikë. 

“Rreziku nuk vjen nga serbët që jetojnë në Kosovë, por nga Beogradi. Sulmet ndaj pjesëtarëve të NATO-së, sulmi terrorist i 24 shtatorit janë planifikuar dhe ekzekutuar nga Beogradi. Këto nuk janë incidente por plan i Serbisë. Përderisa Vuçiqi nuk ndëshkohet, ai do të vazhdojë t’i shkaktojë ato dhe siç ka deklaruar ‘do t’i pres rrethanat e përshtatshme për të ndërhyrë jo në gjithë Kosovën, por në veriun e saj”, ka theksuar Serwer. 

Ndëshkimi për Serbinë ka munguar edhe pse Qeveria e Kosovës insiston se ishte ajo e cila e ka planifikuar dhe e ka organizuar sulmin terrorist në veri, në krye të të cilit është deklaruar të ketë qenë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq.