11 persona kanë vdekur si pasojë e Covidit në pesë ditët e para të tetorit.
Familjet e tre prej tyre do të kompensohen me nga 1 500 euro, si mbështetje nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, pasi ishin të vaksinuar me të dyja dozat.
Mirëpo vendimi për zbatimin e kësaj mase nuk vlen për tetë të vdekurit e tjerë që ishin të pavaksinuar.
“Pas datës 1 tetor 2021, ata që humbin familjarin nga infektimi me COVID-19 mund të përfitojnë mbështetje nga masa 3.1, vetëm nëse familjari i vdekur ka qenë i vaksinuar me të dyja dozat e vaksinës kundër COVID-19”, ka njoftuar Ministria e Financave dhe Transfereve.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, dy prej 11 viktimave ishin të vaksinuar me një dozë e gjashtë prej tyre nuk ishin të vaksinuar.
Një kriter i tillë vlerësohet si diskriminues nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
Ministria e Financave dhe Transfereve tash e një javë nuk është përgjigjur në pyetjet se si janë përcaktuar këto kritere dhe sa persona kanë aplikuar për të përfituar nga kjo masë.
Që nga fillimi i pandemisë betejën me këtë virus e kanë humbur 2 965 persona.
Familjarët e viktimave do të mund të aplikojnë për mbështetje financiare deri më 30 nëntor.