Prishtinë, 7 shkurt – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z.Glauk Konjufca, ka pritur sot shefin e Ambasadës së Republikës së Çekisë në Prishtinë, z.Pavel Bilek, me të cilin diskutuan për tema me interes dhe synim për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Ministri i Jashtëm falënderoi shefin e misionit diplomatik çek për mbështetjen e deritashme të shtetit të tij, duke theksuar se çmon lartë angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë për Kosovën në kuadër të Grupit të Vishegradit.
“Ne përkrahim çdo proces që është në interes të bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë, prandaj kërkojmë mbështetje nga Forumi i Vishegradit për Fondin e Ballkanit Perëndimor, si i vetmi mekanizëm që përfshin drejtpërdrejt gjashtë vendet e rajonit, të cilin aktualisht e udhëheq Republika e Kosovës”, tha ministri Konjufca.
Në takim u bisedua edhe për marrëveshjet e ekonomike midis dy vendeve, për Marrëveshjen për Bashkëpunim Ekonomik të nënshkruara nga ministritë përkatëse dhe që pritet të funksionalizohet me takimin e planifikuar të Komisionit të përbashkët ekonomik.
Në këtë kuadër u bisedua edhe për Marrëveshjen për shmangien e taksave të dyfishta, e cila është ratifikuar nga pala kosovare, mirëpo akoma qëndron e bllokuar në Parlamentin çek.
Ministri Konjufca dhe diplomati Bilek vlerësuan marrëdhëniet midis Kosovës dhe Çekisë dhe u dakorduan që vizita e shefit të dioplomacisë çeke, e shtyrë për shkak të zgjedhjeve të realizohet në afatin më optimal.