Nuk u deshën as dy orë për ta konfirmuar atë që pritej: zgjedhjen e Isa Mustafës për të tretin mandat në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Me vështirësi në lëvizje, Mustafa, i fundit mbërriti në sallën ku ishin mbledhur mbi 350 delegatë të partisë së tij që e pritën me duartrokitje, raporton KTV.
Pas himneve, ai iu drejtua atyre, duke folur për rezultatet e partisë në 8 vjetët e fundit.
Ai foli edhe problemet nëpër nëndegë e degë gjatë procesit zgjedhor, e për të cilat, tha se u menaxhuan me sukses.
Me të përfunduar fjalimin hyrës, Mustafa, punimet e kuvendit të IX të Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë mbyllur për mediat.
Por, dyert e sallës nuk kanë mbetur për kohë të gjatë mbyllur dhe u kumtua lajmi se Mustafa është rizgjedhur edhe për një mandat kryetar.
Pa u vonuar gjatë, nga karrigia e njëjtë ku ka qëndruar ulur tërë kohën, Mustafa foli për mediat.
Procesin zgjedhjes për kryetar, e konsideroi krejtësisht demokratik, me sytë tani kah zhvillimet politike në nivelin qendror dhe zgjedhjet e parakohshme.
Mohoi mundësinë e një koalicioni me PDK-në dhe tha të mos kenë një kandidat për kryeministër.
Megjithëse mohohet zyrtarisht, burime të KTV-së brenda LDK-së, thonë se Vjosa Osmani i ka gjasat më të mira për të qenë kandidate për kryeministre.
Për dallim prej vitit 2015, Osmani këtë të shtunë, është parë e lumtur teksa e ka uruar Mustafën për mandatin e ri.