Arbëri

Vizita e shefit të CIA-s, dëshmi për rëndësinë që ka Kosova për SHBA-në

Vizita e shefit të CIA-s, William Burns, tregon për rëndësinë strategjike që kanë Kosova dhe rajoni për SHBA-në, veçanërisht në kontekstin e sigurisë, kanë vlerësuar njohës të sigurisë. E, në funksion të stabilitetit rajonal, KFOR-i ka shtuar patrullimet në kufi me Serbinë

Një vizitë të paparalajmëruar e pati të mërkurën në Prishtinë drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA), William Burns, i cili u takua me presidenten Vjosa Osmani. Paraprakisht ai qëndroi në Bosnjë-Hercegovinë, në kohën kur Republika Serbe po kërcënon me shkëputje nga Federata. 

Shefi i CIA diskutoi tema me interes të përbashkët me zyrtarët që i takoi në Sarajevë.

“Kjo përfshin integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës. Ata diskutuan gjithashtu retorikën shqetësuese shkëputëse të presidentit të njësisë së Republika Srpska, Milorad Dodik, dhe qeverisë së RS”, citohet të ketë thënë një zyrtar amerikan për REL-in.

Ndërkaq, më 21 gusht shkoi në Beograd, por kjo vizitë nuk u konfirmua dhe as nuk u mohua nga zyrtarët në Serbi dhe në Shtetet e Bashkuara. 

Njohës të sigurisë thonë se janë disa aspekte të cilat ndërlidhen me vizitën e shefit të CIA-së në Kosovë e në rajon. 

“E para, një vizitë e tillë tregon për rëndësinë strategjike që ka rajoni për Shtetet e Bashkuara të Amerikës veçanërisht në kontekstin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Kosova si një shtet i ri me një pozitë gjeopolitike të ndjeshme është një partner kyç i SHBA-së. Së dyti, kjo vizitë mund të interpretohet si mesazh i qartë për të gjitha palët e përfshira në dialog duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për integritetin dhe sovranitetin territorial të Kosovës”, ka thënë njohësi i sigurisë, Betjush Gashi, i cili ka qenë ministër i Brendshëm i Kosovës. “Njëkohësisht mund të jetë sinjal ndaj ndikimeve të huaja në rajon, sidomos Rusisë dhe Kinës, duke theksuar përkushtimin e SHBA-së dhe NATO-s për stabilitetin dhe parandalimin e tensioneve në rajon. Së fundi një vizitë e tillë e nivelit të lartë mund të lidhet me luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit në rajon, duke marrë parasysh rolin e Kosovës dhe vendeve tjera që luajnë në këto aspekte”.

Një ditë para vizitës së Burnsit, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti. Ai dhe diplomatë të tjera kanë kërkuar nga Qeveria t’ia shmang veprimet e njëanshme sa i përket hapjes së urës qendrore të lumit Ibër në Mitrovicë. 

“Në këtë drejtim kjo ka qenë një ndër temat që mund të jetë trajtuar për faktin se Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim i cili domosdoshmërisht kërkon koordinim me misionin e NATO-s në Kosovë. Kjo për faktin se vendosja e misionit të NATO-s në pikat ku ata vlerësojnë, nuk është varur nga Kosova. Ata kanë vlerësuar për vendosjen e tyre në funksion të kryerjes së misionit dhe përgjegjësisë mbi mandatin që u jep Rezoluta 1244”, ka thënë ish-ministri Gashi. 

Paralajmërimi i Qeverisë për hapjen e Urës mbi lumin Ibër, që hasi në kundërshtim të ndërkombëtarëve, këtë javë e solli në Kosovë edhe zëvendëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s. Në takimet e zhvilluara me presidenten Vjosa Osmani dhe më pas presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, zyrtari i lartë i NATO-s foli për domosdoshmërinë e ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajon. Për hapjen e Urës tha se duhet të diskutohet në kuadër të dialogut në Bruksel. 

E KFOR-i veç prezencës së shtuar në veriun e populluar kryesisht me serbë, kohët e fundit aktivitete ka ndërmarrë edhe në pjesët e tjera të vendit. Në komunikatat e publikuara më 20 gusht, u tha se pjesëtarë të KFOR-it kanë kryer patrullime përgjatë vijës administrative të kufirit, në funksion në konsolidimit të stabilitetit rajonal.  

“Personeli gjerman nga Komanda Rajonale në Lindje e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja ka kryer patrullime përgjatë vijës kufitare administrative, në Komunën e Prishtinës. Këto aktivitete ndihmojnë në promovimin e sigurisë së qëndrueshme për të gjitha komunitetet lokale dhe për konsolidimin e stabilitetit rajonal”, shkruan në faqen zyrtare të NATO-së. 

Sipas Bejtush Gashit, të gjitha veprimet e ndërmarra nga NATO-ja bëhen në kuadër të vlerësimeve që kanë rreth sigurisë në Kosovë e rajon. 

“Derisa ka vlerësime nga institucionet ndërkombëtare, SHBA-së e NATO-s se situata në rajon është e brishtë, ata me automatizëm kanë rritur prezencën për të parandaluar tensionet që mund të vijnë, sidomos në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Mal të Zi. Janë marrë masa për të parandaluar përshkallëzimet eventuale, pasi për SHBA-në dhe NATO-n rajoni i Ballkanit është interes gjeostrategjik”, ka theksuar Gashi.  

Lidhur me zhvillimet rreth Urës, në KFOR kanë thënë më herët se nuk do të hezitojnë të veprojnë në përgjigje të çfarëdo zhvillimi të sigurisë në veri. 

Plani për hapjen e Urës të cilin e përmendi së fundi kryeministri Albin Kurti u ishte prezantuar përfaqësuesve të BE-së dhe QUINT-it në takimin e mbajtur më 2 gusht. Shefi i ekzekutivit nga SHBA-ja tha se janë duke u koordinuar me ndërkombëtarët rreth planit për hapjen e Urës. Por KOHA ka raportuar se nuk ka pasur dakordim rreth atij plani, i cili nisi të zbatohet me testimet mbi Urë që tashmë kanë përfunduar. 

BE-ja, QUINT-i dhe NATO-ja i kanë kërkuar kryeministrit që në rrethanat aktuale të mos e hap Urën për qarkullim të automjeteve.