Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka qëndruar të martën në Kosovë pas vizitës që pati në Bosnjë e Hercegovinë. Në Prishtinë ai ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë “kompromise të duhura” në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
E, ish-koloneli i FSK-së, Afrim Veseli, ka thënë se vizita e Ruttes është një mesazh i fuqishëm se Bosnja e Hercegovina do ruhet si shtet unitar dhe Kosova në tërësinë e saj territoriale dhe e mbrojtur nga forcat e NATO-s.
“Ka disa vite që Kosova nuk ka pasur vizitë më të rëndësishme se kjo e sotmja e sekretarit të NATO-s. Kjo vizitë në këtë situatë të brishtë, të ndryshimeve ndërkombëtare, është mesazh i fuqishëm për Kosovën dhe lidershipin që të bashkërendojnë aktivitetet e tyre dhe t’i jepet shans një marrëveshjeje politike me Serbinë”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Sipas tij, udhëheqësit e shtetit duhet së pari të bashkërendojnë veprimet dhe të koordinohen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe më pas me partnerë të tjerë.
“Ne duhet ta mbajmë qëndrimin si e kemi mbajtur me vite, për ne e para është SHBA-ja pastaj vjen Evropa... Lidershipi i Kosovës fillimisht duhet të ketë koordinim me SHBA-në, pastaj me partnerët tjerë ndërkombëtarë”, u shpreh ai.
Megjithëse e konsideron tepër të rëndësishme vizitën e Ruttes, Veseli ka theksuar se duhet pritur edhe qëndrimi i SHBA-së si për Bosnjën ashtu edhe për Kosovën.