Me një projekt në vlerë prej rreth 1.5 milionë eurosh, vitin e ardhshëm pritet të bëhen me ujësjellës 11 fshatra të komunës së Klinës.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Ibër Elezaj, tha për KOHËN se ky projekt, që ka nisur të realizohet këtë javë, bashkëfinancohet nga Qeveria Zvicerane dhe Qeveria e Kosovës, kurse projekti do të zbatohet nga organizata zvicerane CDI.
Ky projekt ka nisur të hartohet siç tha Elezaj, në vitin 2018 nga Komuna dhe organizata CDI, por mjetet fillimisht të siguruara në shumë prej 700 mijë euro kanë qenë të pamjaftueshme për nisjen e realizmit të këtij projekti për të gjitha këto fshatra.
“Pastaj kemi bërë kërkesë që me u rritë shuma për shkak se ka qenë fond i pamjaftueshëm se ato fshatra janë me nevojë të madhe për ujë. Pastaj janë shtuar mjetet dy vitet e fundit dhe tash janë afër 1.5 milionë euro të cilat mjaftojnë për këtë projekt, i cili do ti përmbushë nevojat e atyre fshatrave për ujë”, tha Elezaj.
Projekti është një vjeçar dhe pritet të përfundojë më s largu deri në muajin tetor. Projekti parasheh ndërtimin e afër 80 kilometra rrjet të ujësjellësit, dy stacione pompimi, një rezervuar me vëllim prej 1 mijë metra kub, tre rezervuar me vëllim prej 100 metra kub, si dhe pjesa elektrike të pompave si dhe pompat e ujit.
Pasi të përfundojë ky projekt, në kuadër të cilit do të bëhet edhe rehabilitimi i rrjeteve ekzistuese në disa fshatra, do të përfitojnë mbi 10 mijë banorë të fshatrave Caravik, Çabiq, Zabergjë, Ujmirë, Doberdol, Rixhevë, Stapanicë, Gllarevë, Përqevë, Gjurgjevik i Madh dhe Stupë. Ndërsa furnizimi me ujë do të bëhet nga burimi “Pusi i Jarinës”.
Elezaj tregoi se në këtë rrjet kur të ndërtohet, pastaj me mjete të komunës do të ndërtohet dhe kyçet ujësjellësi për fshatin Resnik. Kurse sivjet pritet të bëhen me ujësjellës edhe shtyrat në kufi me komunën e Istogut, Ranoci dhe Leskoci, të cilat siç Elezaj me një marrëveshje me komunën e Istogut, do të kyçen e ujësjellësin e Istogut. Aktualisht prej 54 fshatrave sa ka kjo komunë, gati gjysma prej tyre janë ende pa ujësjellës, e në mesin e tyre, siç tha Elezaj janë edhe disa fshatra që kanë ujësjellës por nuk janë funksional. Pothuajse i gjithë territori i Komunës së Klinës përballet në një apo formën tjetër me problemin e ujit të pijes edhe pse ndër vite ka pasur investime në shumë fshatra dhe në qytet, në rrjetin e ujësjellësit ose në gjetjen e burimeve. Megjithatë, furnizimit me ujë të pijshëm edhe me tej mbetet problem kryesor në këtë komunë.