Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se masat që kanë hyrë sot në fuqi janë më se të nevojshme për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Vitia në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, Hekuran Murati, të mërkurën pasdite, tha se spitalet e Kosovës janë të mbingarkuara me pacientë me COVID-19. Ai e paraqiti situatën si tejet të rënduar.
“Kemi mbi 900 pacientë të shtruar në spitale. Kemi personelin shëndetësorë që është i pakët në këtë situatë të krijuar dhe stërlodhur. Situata është shumë e rëndë sidomos në institucionet shëndetësore. Varianti i ri britanik është shumëfish më i rrezikshëm sepse përhapet më shpejt dhe i prekë moshat e reja që do të vaksinohen tek me planin e tretë të vaksinimit. Masat janë mëse të nevojshme për shkak se konsiderohet si mjeti më efektiv për mbrojtje nga COVID 19”, ka thënë ai në konferencë.
Vitia ka thënë se masat e reja janë të nevojshme dhe se kuptojnë shqetësimet e ngritura nga sektori ekonomik.
“Masat e reja kufizuese e kompletojnë procesin e vaksinimit veçanërisht tash që është në fazën fillestare. Me këtë situatë të rëndë ku trendi i rritjes është i vazhdueshëm duhet të bëjmë çdo gjë që ta ulim këtë trend”, shtoi ai.
“E kuptojmë kritikë se masat e deritanishme janë në dëm të ekonomisë. Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e sektorëve dhe bashkëndjejmë. Prandaj siç është paraparë, MF-ja ka përgatitur edhe masat që synojnë ruajtjen e shëndetit të ekonomisë”.
Vitia ka thënë se do të formohen grupe punuese me përfaqësues të sektorëve të prekur nga masat kufizuese dhe se do të bashkëpunojnë për mbrojtjen e qytetarëve.
“Kemi vendosur e pajtuar që të formojmë grupe punuese me përfaqësuesit e sektorit të gastronomisë dhe grupeve tjera të ndikuara nga vendimet tona, ashtu që kërkesat tona dhe nevojat e tyre të sinkronizohen në luftimin e pandemisë”, tha ai.
Nga sot e deri më 18 prill, ndër të tjera është mbyllur gastronomia.
Vitia: Ka mjaftueshëm buxhet për blerjen e vaksinave, por është dashtë të negociohet më herët
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se 24 mijë dozat e para të vaksinës për COVID-19 kanë qenë donacion dhe se presin kontingjentin e dytë me 76 mijë doza të tjera në fund të prillit apo në fillim të majit.
“Presim kontingjentin tjetër nga 76 mijë doza, në fund të prillit apo në fillim të maji, siç na është konfirmuar”, tha ai duke shtuar se për datën e saktë do të njofton më vonë.
Vitia ka thënë se qeveria ka ndarë mjaftueshëm buxhet për blerje të vaksinave porse sipas tij procesi ka ngecur te kompanitë prodhuese me të cilat është dashur të negociohet më herët.
"Qeveria ka ndarë mjaftueshëm buxhet për blerjen e vaksinave, por ky nuk është proces i thjeshtë pasi duhet të negociohet me kompanitë prodhuese që kanë disa kritere në këtë proces duke filluar që është dashtë të kontaktohet shumë më herët. Tani jemi në kontakt, kemi intensifikuar përpjekjet e bisedimeve me ta dhe së shpejti mund të kemi lajme të mira me disa nga këto kompani që do të na mundësojnë të blejmë vaksina”, tha ai.