Arbëri

Vitia: Nga fundi i vitit, qytetarët do t’i blejnë barnat më lirë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, raporton në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale për listën zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, raporton në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale për listën zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale

Foto: Driton Paçarada

Artikull i përditësuar - Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka thënë se deri në fund të vitit do të ketë listë zyrtare të çmimeve të produkteve mjekësore.

Ai ka thënë se lista preliminare që është anuluar, ka përmbajtur gabime. Sipas tij, me këtë listë qytetarët do të blejnë barna me çmime më të lira.

“Në momentin që e kam nënshkruar, kam marrë disa informata që më kanë thënë se janë përvjedhur disa gabime. Si e kam pa, jemi ulur me komisionin. Më kanë treguar edhe disa vërejtje të tjera dhe se Komisioni i Ankesave duhet të merret me to. Komisioni i Ankesave ka propozuar anulimin. Këtë gjë e kam bërë. Do të jemi të gjithë dëshmitarë që në fund të vitit, kur të ketë listë përfundimtare gjithë qytetarët do të blejnë barna me çmime të ulëta, jo 5000% sa kanë qenë lëshime teknike, por do të jenë më të ulëta”, ka thënë ai gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie.

“Në tremujorin e fundit të këtij viti besoj që qytetarët do të mund të blejnë barna me çmime të unifikuara”, ka thënë ai.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka kritikuar ministrin Vitia për vonesa në këtë proces. Ai ka thënë se ndaj Vitisë duhet të merren masa.

“Kemi një proces që është i diskutueshëm. Nëse janë gabime teknike pse duhet 3 muaj me pas prolongim të procesit? Mirë është me i shiku ndonjëherë çka të sjellin në tavolinë. Duhet me i këqyrë me 5 parë sy çka të sjellin, kam punuar vetë aty. Dorën në zemër unë s'e kisha lanë pa marrë masa, ose kryeministri ish dashtë me marrë masa ndaj teje”, ka thënë Zemaj.

Ishte deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, që ka thënë se me ecurinë aktuale të punës, ministri Vitia do ta përfundojë mandatin pa listë zyrtare të çmimeve të produkteve mjekësore.

Në qershor, Ministria e Shëndetësisë anuloi listën preliminare të çmimeve të produkteve mjekësore. Në vendim u bë e ditur se ka pasur ankesa dhe disa prej pretendimeve janë konfirmuar nga Komisioni i Ankesave. Ankesat kishin të bënin me çmimet në disa produkte.

Deputeti i PDK-së në këtë komision ka thënë se lista ka pasur produkte me çmime shumëfish më të larta.

“Në disa prej analizave që i kemi bërë të asaj liste, del që ka rritje shumëfish të çmimeve nga 100 %. I kemi pas këtu anëtaret e Komisionit, kanë thënë që ka pasur gabime teknike. Ka pasur rritje deri në 3000 %. Të proklamosh ulje të çmimit e të nënshkruash listë me çmime me të larta - kjo nuk ka logjikë. Me ketë ecuri të punës do ta përfundoni mandatin e nuk do të ketë listë të çmimeve”, ka thënë ai.

Haxhiu po ashtu ka shtruar pyetjen se sa është dëmi nga reshjet në depon e barnave.

Ligji që parashihte rregullimin e çmimit të barnave për blerjet publike dhe tregun privat ishte miratuar në korrik të vitit të kaluar. Lista me çmimet obliguese parashihej të bëhej për katër muaj, por kjo ende s’ka ndodhur.

Me këtë ligj parashihet që të bëhet unifikimi i çmimit të barnave në tregun privat, por me të do të ketë edhe çmime standarde edhe për produktet që blihen përmes prokurimit për institucionet shëndetësore publike.

Për pasojë, tregu farmaceutik është ende plotësisht i parregulluar sa i përket çmimit të barnave.

Pothuajse identik me këtë ligj në vitin 2019 ishte nxjerrë një udhëzim administrativ, por që nuk u zbatua asnjëherë.

E gati asnjë vend në Evropë nuk e ka të parregulluar çështjen e çmimit të barnave.