Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilia Rexhepi e ka vizituar të hënën komunën e Vitisë, komuna e parë e prekur nga koronavirusi, që është futur në karantinë tash e tri ditë.
Ajo është takuar me kryetarin e komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ku edhe është njoftuar rreth masave të ndërmarra në parandalimin e përhapjes së këtij virusi në shkallë më të gjerë, pasi që deri më tani, 7 banorë të fshatit Stubëll janë prekur nga COVID-19.
Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti ka deklaruar se ata kanë nevojë që të furnizohen me rroba mbrojtëse, dorëza si dhe pajisje tjera mbrojtëse dezinfektuese. Ai ka deklaruar se kanë mungesë të stafit shëndetësor, meqë stafi prej 17 punonjësve janë të izoluar për 14 ditë, shkaku i kontaktit që kanë pasur me pacientin e parë, gjatë kontrollës mjekësore që i është ofruar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Viti.
“Kemi nevojë për mbështetje me staf mjekësor por edhe për material mbrojtës. Ajo që ne po mundohemi dhe jemi të përkushtuar, është mbajtja e gjendjes nën kontroll dhe që situata të jetë e qetë e të mos krijohet panik. Është më se i nevojshëm një koordinim i Qeverisë qendrore me nivelin lokal, përkatësisht me udhëheqjen komunale, në mënyrë që të reagojmë së bashku në menaxhimin e situatës”, ka thënë Haliti.
Ndërkaq, ministrja Rexhepi ka deklaruar se kërkesat të cilat janë parashtruar nga komuna e Vitisë do t’i paraqesë në mbledhjen e Qeverisë.
“Të gjitha kërkesat nga ju do të paraqiten në mbledhjen e Qeverisë respektivisht në Komisionin për menaxhimin e situatës kundër koronavirusit, pjesë e të cilit komision jam edhe unë. Përgëzoj institucionet komunale për përkushtimin në menaxhimin e situatës”, ka thënë ajo.
Ndërkohë, në mbledhjen e komitetit komunal për menaxhimin e situatës është kërkuar nisja e procedurave për kontraktimin e një kompanie, e cila do realizojë dezinfektimin e objekteve publike ku përfshihen objektet shkollore, objektet fetare dhe objekte tjera.
Komunarët kanë deklaruar se procedurat për kontraktimin e kompanisë do të përshpejtohen, për shkak të situatës së krijuar kurse vlera e projektit është 18 mijë euro. E nga kryetarët e fshatrave është kërkuar që të identifikohen familjet që kanë nevojë për ndihmë. Ndërkaq, komuna me një apel ka kërkuar nga qytetarët që të zvogëlojnë sasinë e mbeturinave shtëpiake, për shkak se ndërmarrjet publike punojnë me kapacitete të reduktuara shkak i situatës emergjente.
Është kërkuar që mbeturinat e ngurta siç është plastika, letra dhe materialet e tjera të ndahen dhe të mos përzihen me mbeturinat e tjera.