Në komunën e Vitisë nuk ekziston sistemi për trajtimin e ujërave të zeza dhe këto ujëra derdhen në territorin e kësaj komune duke i kontaminuar tokat dhe ndotur lumin Morava. Pushteti komunal në Viti është i pafuqishëm që të zgjidh këtë problem ngase kërkohen 12 milionë euro investime për trajtimin e ujërave të zeza.
Studimi i fizibilitetit është gati dhe është paraparë që impianti për ujërat e zeza të ndërtohet në afërsi të fshatit Nasal. Komunarët kishin menduar që të siguronin mjetet financiare nga një kredi që ofrohej nga shteti i Austrisë ku Qeveria e Kosovës ishte ndërmjetësues mirëpo nga ky proces nuk kishte pasur zhvillime të reja dhe si i tillë kishte dështuar. Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti deklaron se Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë mjetet financiare dhe se modeli më i mirë për trajtimin e ujërave të zeza është përfshirja e komunave në një pako.
Ai thotë se komunat të cilat gjenden në afërsi me njëra tjetrën duhet të kenë një sistem të përbashkët të trajtimit të ujërave. “Jam për një model tjetër të trajtimit të ujërave të zeza që është modeli regjional. Nuk është efektiv investimi në Viti në qoftëse e lëmë anash komunën e Kllokotit. Ne ndërtojmë sistemin kurse Kllokoti që gjendet në afërsi me ne mbetet një oazë e ndotjes. Nuk mundet të vazhdojmë të funksionojmë me gropa septike. Qeveria ka kapacitete që të sigurojë fondet ngase bashkëpunon me institucionet financiare ndërkombëtare” ka thënë ai.
Haliti deklaron se problem tjetër janë kapacitetet e ujit të pijes. Thotë se në kuadër të investimit prej 12 milion euro do të mund të ndërtohet edhe një fabrikë e ujit. Kreu i Vitisë deklaron se Qeveria e Kosovës është treguar neglizhente në ngritjen e këtyre kapaciteteve. “Uji i pijes është njëra nga sfidat. Kemi resurse ujore ngase kemi dy lumenj lumin Morava dhe Lumin Letnica. Na duhet një fabrikë e ujit me 100 litra në sekondë që do t’i mbulonte nevojat e banorëve të komunës. Momentalisht kemi 40 litra në sekondë të përpunuar. Këtë ngecje e shoh si neglizhencë të nivelit qendror dhe e kompanisë regjionale të ujësjellësit “Hidromroava” që duhet të sigurojnë furnizim të mjaftueshëm dhe ujë kualitativ” ka thënë Haliti.
Komuna e Gjilanit ka siguruar 24 milion euro për ndërtimin e sistemit për trajtimin e ujërave të zeza ku përfshihet edhe ndërtimi i impiantit në afërsi të fshatit Uglar. Mjetet financiare janë siguruar nga kredia të cilën e kanë ofruar institucionet financiare ndërkombëtare ku garantues për kthimin e mjeteve është Qeveria e Kosovës.