Nëpërmjet një vendimi, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ka deleguar në Odën e Farmacistëve të Kosovës dy familjarë të ministrit së Mjedisit, Planifikimit hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu. Siç mëson KOHA, Suliote Aliu, e deleguar si anëtare e Këshillit Drejtues në OFK, është motra e ministrit Aliu, derisa në Këshillin e Mbikëqyrjes së OFK-së, është deleguar vajza e axhës së Aliut, Nita Kelmendi - Hysa.
Emërime të tilla bien ndesh me Ligjin për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë.
“Kryetari i Odës, zëvendëskryetarët, anëtarët e këshillit drejtues dhe sekretari i përgjithshëm nuk mund të jenë persona të zgjedhur dhe të emëruar në funksione tjera publike dhe politike, përveç profesionale mjekësore dhe në mësimdhënie”, thuhet në Ligj.
Në Lëvizjen Vetëvendosje, Suliote Aliu është pjesë e Komitetit për Shëndetësisë. Për emërimin e saj në OFK, Aliu i ka thënë KOHËS se për këtë “duhet pyetur Ministrinë e Shëndetësisë”
“Ju lutem që për këtë çështje t'i drejtoheni Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhet në përgjigjen e saj përmes emailit.
Pasditen e së shtunës KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë rreth këtyre emërimeve, mirëpo deri në momentin e raportimit, nuk ka kthyer përgjigje.
Tutje, në Këshillin Mbikëqyrës të OFK-së, ministri Vitia ka deleguar edhe Besnik Stavilecin dhe Bekim Fushën. Fusha ka qenë i akuzuar për korrupsion, mirëpo një pjesë e aktgjykimit e kishte liruar, derisa pjesa tjetër e lëndës i ishte parashkruar.
Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë