Arbëri

Viti i ri shkollor pritet të nisë në dy faza

Viti i ri shkollor 2020/2021 në Kosovë pritet të nisë në dy faza. Më 14 shtator pritet të nisë mësimi për parashkollorët, klasat 1, 2, 3, 6 dhe 10 ndërkaq, klasat tjera fillojnë më 21 shtator.

Rekomandimi është dhënë nga ministri Ramë Likaj në një takim online me drejtorët komunalë të arsimit e drejtorin ekzekutiv të Asociacionit të Komunave.

“MASh ka propozuar që me datën 14 shtator të fillojnë mësimin klasat 0, 1, 2, 3, 6, 10 në të gjitha shkollat në Republikën e Kosovës. Klasat 4 dhe 5 të fillojnë mësimin tërësisht në shkollë ose me mësim të kombinuar, varësisht nga kapaciteti i shkollës, vlerësuar nga DKA dhe institucionet arsimore. Ndërsa, në fazën e dytë, më 21 shtator të fillojë mësimi me mësim të kombinuar për klasat 7, 8, 9, dhe 11, 12, duke vijuar mësimin dy ditë në shkollë dhe tri ditë online/në distancë”, thuhet në njoftimin e MASH-së.

Sipas njoftimit të kësaj ministrie, vendimi do të bëhet në faza, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, drejtoritë e Arsimit, Këshillin e Prindërve dhe Sindikatën e Arsimit, në bazë të vlerësimit të situatës epidemiologjike në Kosovë.

Vlerësimi i situatës epidemiologjike do të bëhet në mënyrë të vazhdueshme dhe në këtë mënyrë do vlerësohen me kujdes rrethanat dhe mundësitë e vazhdimit të mësimit sipas skenarëve të paraparë.