Arbëri

Jo gjithë nxënësit e nisin mësimin me libra

Shkolla

Ndryshe prej vitit të shkuar, kur më 1 shtator pati grevë, sivjet viti i ri shkollor nisi me sfida të tjera. Në ditën e parë të procesit mësimor, jo të gjithë nxënësit u ulën në banka të pajisur me libra, që sivjet do të duhej t’ua siguronin vetë prindërit. E prindërit u ankuan se kanë hasur në telashe për t’u siguruar librat fëmijëve, me kohë. Ndërkaq në Prizren, drejtorët e shkollave kanë thënë se humbje orësh nuk do të ketë, pasi që në javën e parë do të punohet me kopjet e njësive mësimore e edhe të detyrave

Jo të gjithë nxënësit e shkollave fillore në Prishtinë e kanë nisur të premten vitin e ri shkollor të pajisur me libra.

Prindërit, të cilët sivjet janë ngarkuar nga Ministria e Arsimit me përgjegjësinë e sigurimit të teksteve shkollore për fëmijët, me subvencionim nga Qeveria, kanë shprehur ankesa për telashet që u janë shfaqur me këtë formë të pajisjes me libra. Disa prej tyre janë ankuar se nuk kanë arritur që t’i sigurojë ato, shkaku i tollovive të mëdha që janë krijuar nëpër librari në prag të nisjes së procesit mësimor.

Isak Salihu, baba i dy fëmijëve, ka thënë se për këtë arsye, ka vendosur që pajisjen e tyre me libra ta lërë për një ditë tjetër.

“Djali e fillon klasën e parë, ndërsa vajza klasën e gjashtë. Vështirësi nuk mund të them që ka pasur, librarit janë të pajisura me të gjitha librat. Por e keqja është që ka qenë shumë tollovi të madhe dhe puna po shkon pa organizim, pa përgatitje, në moment të fundit”, është shprehur ai.

Disa prindër të tjerë kanë thënë se blerjen e teksteve shkollore janë detyruar ta shtyjnë shkaku i pamundësisë për t’iu qasur vjegëzës në e-Kosova, në të cilën duhet aplikuar për ta fituar të drejtën për subvencionim.

Vjollca Statovci, qytetare, ka thënë se shkaku i disa telasheve me platformën, aplikimin për subvencionim do ta bëjë javën e ardhshme.

“Nuk kemi aplikuar, kemi pasur disa herë pengesa. E kemi lënë ndoshta javën tjetër, mbase hapet linku si duhet”, ka thënë ajo.

Mimoza Krasniqi, drejtoreshë në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë, ka konfirmuar se jo të gjithë nxënësit në institucionin arsimor që ajo e drejton të premten janë ulur nëpër banka të pajisur me libra.

“Jo të gjithë, normal, që nuk kanë ardhur të gjithë të pajisur me libra, por pritet në javën tjetër, të hënën e martën besoj që kompletohen.... Sa i përket ciklit të ulët, kanë mbetur në procedura të aplikimit. Blerja e librave prej prindërve në këtë mënyrë të aplikimit, nuk është obligim i shkollave”, ka theksuar ajo.

Për subvencionimin e blerjes së librave nga prindërit, Qeveria të mërkurën ka ndarë afro 13 milionë euro. Aplikimi për përfitimin e 80 eurove të paraparë për nxënësit e klasave nga e para në të pestën, dhe të 30 eurove për ata nga klasa e gjashtë në të nëntën, do të jetë i hapur deri në fund të shtatorit.

Deputetët opozitarë kërkojnë seancë të jashtëzakonshme për libra

Si rrjedhojë e telasheve me libra, deputetë të partive opozitare kanë dorëzuar të premten në Kuvend një kërkesë për zhvillimin e një seance të jashtëzakonshme parlamentare për 4 shtator.

Kërkesa është publikuar nga deputetja e Partisë Demokratike (PDK), Eliza Hoxha, e cila është edhe anëtare e Komisionit parlamentar për Arsim. Ajo ka theksuar se Kuvendi duhet të ndërpresë pushimin dhe t’i kthehet punës, pasi që ka vlerësuar se gjendja është e jashtëzakonshme dhe kërkon veprime urgjente.

Sipas deputetes Hoxha, pasojat e paaftësisë dhe dështimit të Qeverisë po i vuajnë mbi 200 mijë nxënës, mijëra prindër e mësimdhënës.

E ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nëpërmjet një video-mesazhi të publikuar të premten, ka theksuar MASHTI-i në bashkëpunim me komunat i kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e viti shkollor. Ajo ka theksuar se po punohet për çdo ditë në përmirësimin e infrastrukturës shkollore e ligjore dhe rritjen e cilësisë së teksteve mësimore.

“Sot shkollat tona hapin dyert për të mirëpritur fëmijët në ditën e parë të vitit të ri shkollor. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në bashkëpunim dhe me komunat e shkollat kanë bërë të gjithë përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor 2023/2024. Si Ministri po punojmë çdo ditë për të përmirësuar infrastrukturën shkollore e ligjore dhe vazhdojmë punën tonë për rritjen e cilësisë së teksteve shkollore mësimore. Gjatë punës sonë në Ministri të Arsimit me vendosmëri po avancojmë politikat arsimore”, ka thënë ajo.

Në Prizren, kopjet i zëvendësojnë tekstet shkollore

Me mungesë tekstesh, ka nisur viti i ri shkollor edhe në Komunën e Prizren. Shumica e shkollave hapën dyert për nxënësit, teksa drejtorët kanë thënë se humbje orësh nuk do të ketë, pasi që në javën e parë do të punohet me kopjet e njësive mësimore e edhe të detyrave.

“Përbrenda shkollës kemi formuar një ekip mobil i cili është duke përgatitur modalitete të ndryshme lidhur me njësitë mësimore. Për shembull, i kemi linqet nga shtëpitë botuese, përzgjedhjen që e kemi bërë të librave dhe kemi filluar të bëjmë kopje të detyrave dhe njësive mësimore që së paku java e parë, derisa të bëjmë një zgjidhje definitive dhe derisa të furnizohen prindërit, ne të jemi të gatshëm si shkollë t’ju ofrojmë burime të njësive mësimore”, ka thënë Vlora Karavidaj, drejtoreshë e shkollës fillore “Lekë Dukagjini” në Prizren.

Edhe autoritetet lokale kanë thënë se sfidë kryesore në fillim të vitit shkollor është furnizimi me tekste mësimore.

“Ne si Drejtori e Arsimit në bashkëbisedim me drejtuesit e shkollave po krijojmë ekipe mobile brenda shkollave që t'u dalim në ndihmë prindërve që po kanë në vazhdimësi vështirësi për t’u regjistruar në platformën eKosova”, ka theksuar Luljeta Veselaj-Gutaj, drejtoreshë e Arsimit në Prizren.

E kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, ka bërë të ditur se nga drejtuesit e shkollave është informuar se problemi kryesor mbetet mungesa e teksteve shkollore. Ai nuk ka shprehur pritje që problemi të zgjidhet brenda muajit.

“Urojmë që edhe kjo çështje të tejkalohet edhe të zgjidhet në mënyrë që nxënësit ti kenë tekstet shkollore. Por me sa u informova, muaji shtator ndoshta do të kalojë pa tekste”, ka thënë Totaj.

Me sfidën e njëjtë, viti i ri shkollor ka filluar edhe në Komunën e Suharekës dhe të Dragashit.

Bexhet Xheladini, kryetar i Komunës së Dragashit, ka theksuar se nxënësit udhëtarë më nuk do të paguajnë për transportin e tyre.