Arbëri

Viti 2022 shënoi rekord fluturimesh në Aeroportin e Prishtinës

Fluturime - Gjermani - ANP Prishtina

Viti 2022 ka shënuar rekord fluturimesh në Aeroportin e Prishtinës. Siç kanë njoftuar zyrtarët për informim të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” për emisionin “SOT” në KTV, gjatë vitit 2022 afro 3 milionë pasagjerë kanë udhëtuar në Aeroportin e Prishtinës.

Në dhjetor është shënuar numri më i madh i fluturimeve që kanë ardhur në Kosovë nga Gjermania e Zvicra.

Vetëm sot janë planifikuar 39 fluturime.

Shifra prej 3 milionë pasagjerëve, është 13 për qind më e lartë se në vitin 2021.

Gjatë vitit 2022 në ANP u regjistruan 18052 fluturime, ndërsa në vitin 2021 ishin 17842 fluturime.

Të enjten ka numër mjaft të madh të mërgimtarëve që po pritet të udhëtojnë nga Aeroporti i Prishtinës.

“Viti ishte krejt normal. Nuk kishte diçka të veçantë. Ishalla vitin 2023 bëhet mirë në përgjithësi. Duhet përmirësuar çdo gjë, prej gjendjes politike e deri tek ajo ekonomike”, ka thënë një mërgimtar që po priste të udhëtonte në Duesseldorf të Gjermanisë.

Ndërsa një mërgimtare që po priste fluturimin për në Bonn të Gjermanisë ka treguar se si çdo vjet e pret Vitin e Ri në Kosovë.

“Super, ishte shumë mirë. Gjithmonë e festoj Vitin e Ri në Kosovë. Familja e bën gjithmonë të veçantë”, ka thënë ajo.