Arbëri

Virusi i paparashikueshëm

Një pjesë e madhe e të prekurve nga COVID-19 edhe pasi kalojnë në kategorinë e të shëruarve, mbesin me pasoja të ndryshme në organizmin e tyre.

Plogështi, marramendje e mungesë koncentrimi janë vetëm disa prej shkaqeve që po i vuan edhe Besim Kodra, ndonëse kanë kaluar më shumë se një muaj qëkur është shëruar nga COVID-19.

Ai, për emisionin Raport në KTV, tha se koha sa ishte i infektuar nuk i shkaktoi aq shumë komplikime shëndetësore, sa koha pas shërimit nga infektimi.

“Kam qenë nga personat që kanë pasur pak simptoma, por problemet kanë vazhduar, si me pjesën e ankthit. Kanë kaluar katër muaj gati, por kam ende probleme me koncentrim e harresë”, tha Kodra.

Kodra shton që ka pasur të afërm që pos që kanë vuajtur virusin, barnat u kanë kushtuar shumë shtrenjtë.

Ndonëse virusi në shumicën e rasteve nuk lë pasoja te personat në moshë më të re, në disa raste ka përjashtime.

Sabrie Mehmeti është 35-vjeçare.

Janë bërë më shumë se 2 muaj prej se ajo është duke u trajtuar në QKUK, fillimisht nga COVID-19, e më pas nga komplikimet që u shkaktuan si pasojë e koronavirusit.

Driton Mehmeti, vëllai i saj, thotë se gjatë kohës sa ajo ishte në Klinikën Infektive, sfidë për ta ka qenë sigurimi i oksigjenit.

“Për shumë familje, sfida kryesore është furnizimi me oksigjen në shtëpi. Motra ime ka qenë për tri javë në Infektivë, por kur e kanë liruar nuk ka qenë në gjendje të qëndrojë pa oksigjen. Pas shumë përpjekjeve e kemi siguruar një bombolë, por nuk kishin ku ta mbushim. Në fund, jemi detyruar ta mbushim në një kompani që nuk është e licencuar”, ka thënë Driton Mehmeti.

Ai thotë se motra e tij vazhdon ende të trajtohet për problemet që ia ka shkaktuar virusi.

Që nga 13 marsi kur janë konfirmuar rastet e para me koronavirus, si pasojë e tij kanë vdekur mbi 1.300 persona.

Përderisa më shumë se 53 persona janë infektuar deri më sot.

E numri i të shëruarve është mbi 46 mijë.