Arbëri

Vihet në dyshim regjistrimi i krimeve të luftës

Ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka paraparë që me regjistrimin e popullsisë ta bëjë edhe evidentimin e krimeve të luftës të vitit 1998-1999. Sipas zyrtarëve të këtij institucioni, ky propozim ka ardhur nga institucione dhe individë gjatë kohës sa pyetësori ishte në diskutim publik. Por, përfaqësues të personave të pagjetur thonë se ky proces mund të keqpërdoret pasi, sipas tyre, verifikimi i atyre të dhënave është i pamundshëm

Njëzet e katër vjet pas luftës është planifikuar të regjistrohen krimet dhe dëmet e luftës së vitit 1999. Kjo është paraparë të bëhet me regjistrimin e popullsisë, proces ky që është shtyrë për vitin e ardhshëm. Në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, e cila do ta kryejë këtë proces thonë se ky regjistrim do të përfshijë periudhën nga data 28 shkurt 1998 deri më 11 qershor 1999.

“Propozimi për dëmet e luftës ka ardhur nga institucione dhe individë gjatë periudhës sa ishte pyetësori në diskutim publik. Periudha e përfshirë 28 shkurt 1998 -11 qershor 1999”, ka thënë Hazbije Qeriqi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Zyrtarët e ASK-së kanë thënë se një proces të tillë e kanë praktikuar edhe vende të tjera, si Kroacia. Por, kur janë pyetur se sa ka pasur sukses ai, ata janë përgjigjur “deri diku”.

Lidhur më këtë regjistrim, KOHA i ka dërguar pyetje Zyrës së kryeministrit që nga 29 nëntori, por deri në momentin e raportimit nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkohë, përfaqësues të personave të pagjetur kanë shprehur dyshime lidhur me të dhënat që do t’i japin qytetarët gjatë regjistrimit të popullsisë.

Latif Mehmeti nga Shoqata për persona të pagjetur dhe viktima të luftës “Përkorë”, ka thënë se ky proces mund edhe të keqpërdoret dhe se, sipas tij, është i pamundshëm verifikimi i atyre të dhënave.

“Para dy javësh, zyrtarët e Entit të Statistikave të Kosovës kanë mbajt një takim në Komunën e Podujevës për t’iu treguar njerëzve për formën dhe mënyrën e regjistrimit të popullsisë. Derisa ishin duke na e shpjeguar na kanë treguar edhe risitë, ndryshimet nga regjistrimi i vitit 2011 me këtë regjistrimin e vitit të ardhshëm. E njëri prej tyre që mua më ka shqetësuar ka qenë regjistrimi i krimeve të luftës, shtëpitë e djegura, njerëz të vrarë dhe të zhdukur”, ka thënë Latif Mehmeti. “Ndaj këtij lajmërimi unë kam reaguar dhe kam bërë shumë pyetje sepse ky është një rast që komuniteti serb nëse merr pjesë në regjistrim do ta shfrytëzojë këtë rast për ta rritur numrin edhe të vrarëve edhe të zhdukurve. Kjo, pas 24 vjetëve të luftës të bëhet regjistrimi i të vrarëve, të zhdukurve përmes një pyetësori nëpër shtëpi - kjo s’ka koment. Ky është një dështim i shtetit tonë në këtë aspekt”.

Sipas përfaqësuesit të Shoqatës “Përkorë”, kjo tregon se shteti i Kosovës është i papërgatitur edhe për të ushtruar padi ndaj Serbisë për krimet e luftës.

“Institucionet tona po thonë se kemi material për me ngrit aktakuzë ndaj Serbisë, e në këtë rast po tregojmë që jemi të papërgatitur. Po t’i kishim ne regjistrat e të vrarëve dhe të zhdukurve komplet, ne nuk e kishim përdorë formularët e regjistrimit të popullsisë për t’i evidentuar personat e zhdukur. Një tjetër çështje shumë me rëndësi, regjistrimi është konfidencial dhe sot mundet me paraqit një person që iu ka zhdukur a u ka vrarë dhe të mbetet konfidencial, vetëm rritet numri i të vrarëve dhe të zhdukurve të komuniteteve të tjera”, ka theksuar Mehmeti. “Është e pamundshme (verifikimi v.j.) se sot e kësaj dite disa regjistra që janë bërë nga komuniteti serb, shoqata të ndryshme që kanë bërë, kemi njerëz që thonë janë vrarë nëpër Serbi e nuk dihet emri, mbiemri, dihet emri, po nuk dihet kush është vetëm janë evidentuar si persona të vrarë. Kemi edhe në Komunën e Podujevës disa që evidentohet të vrarë po nuk ka të dhëna kah janë, kush janë edhe kur janë vra e ku janë vra”.

Në Agjencinë e Statistikave të Kosovës kanë thënë se verifikimi i të dhënave është punë e komisioneve të Qeverisë. Ata e kanë quajtur proces me interes kombëtar, dhe se sipas tyre, në raste të tilla kjo mund të bëhet edhe me 30 vjet vonesë.