Arbëri

Vidhen pesë laptopë në shkollën e mesme profesionale në Shtime

Të enjten në mbrëmje, shkolla e mesme profesionale në Shtime ka qenë cak i hajnave derisa objekti është thyer dhe janë vjedhur një varg pajisje elektronike nga persona ende të paidentifikuar. Në mesin e pajisjeve janë vjedhur edhe pesë laptopë që u kanë shërbyer shkollës për procesin mësimor.

Shkolla gjendet pak metra afër stacionit të Policisë në Shtime, ndërkohë hetimet për zbardhjen e rastit po vazhdojnë nga hetuesit e Policisë së Kosovës.

Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, ka thënë se drejtori i shkollës i ka njoftuar organet e rendit se shkolla është thyer dhe janë vjedhur pajisje elektronike.

“Sot, rreth orës 11:50 drejtori i shkollës së mesme profesionale në Shtime, ka raportuar se persona të panjohur kanë depërtuar me forcë brenda shkollës dhe nga aty, dyshohet se kanë vjedhur pesë laptopë. Vlen të cekët se në objektin e shkollës nuk është duke u zhvilluar mësimi, ngaqë është duke u bërë renovim”, ka thënë Veseli.

KOHA ka provuar të flasë edhe me drejtorin e shkollës profesionale, Labinot Rexha, por nuk është përgjigjur në telefon.

Ndërkaq drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Shtime, Yllka Fejzullahu, nëpërmjet telefonit nuk ka dashur të flasë me arsyetime se drejtori i shkollës ende nuk ka raportuar për rastin.

“Drejtori i shkollës ende nuk e ka sjellë raportin në të cilin e përshkruan rastin. Në momentin që e pranoj raportin do t’ju njoftoj edhe juve”, ka thënë shkurt Fejzullahu.