Arbëri

Vettingu dhe konfiskimi i pasurisë, pjesë e Planit të Veprimit të Agjendës së Reformave Evropiane

Qeveria ka hartuar draftin e Planit të Veprimit të Agjendës së Reformave Evropiane dhe në të ka përfshirë edhe nismën për vetting e edhe atë për konfiskim të pasurisë. Dokumentet për të cilat ishte hedhur dilema nëse janë konform standardeve ndërkombëtare, është duke u studiuar nga Zyra e BE-së. Por, në Ministrinë e Drejtësisë thonë se zyrtarë të BE-së janë vet të përfshirë në hartimin e këtyre dy nismave të reja ligjore

Nismat e reja për luftimin e korrupsionit, të ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë, janë përfshirë në draftin e Planit të Veprimit të Agjendës së Reformave Evropiane, ERA II.

Mbështetur në këtë draft, Koncept-dokumenti për zhvillimin e procesit të Vettingut në sistemin e drejtësisë do të miratohet deri në fund të shtatorit, e në vitin e ardhshëm do të themelohet edhe Mekanizmi për Veting për gjykata dhe prokurori, si dhe Koncept Dokumenti për zhvillimin e procesit të Vetingut në agjencitë vartëse të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në draftin e Planit të Veprimit për ERA II figuron edhe e dhëna se brenda vitit 2021 do të miratohet edhe Projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Në Ministrinë e Drejtësisë konfirmuan afatin për këtë Projektligj, ndërsa për Koncept-dokumenti për Vettingun thanë se është në prag finalizimi.

Genc Nimoni, shef i kabinetit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se të dyja këto janë prioritete të ministrisë dhe ka konfirmuar se drafti i koncept-dokumentit për vettingun është fazën finale të përgatitjes.

“Nesër më 15 qershor besoj që këtë draft të parë do t’ua shpërndajmë të gjithë anëtarëve të gjerë të grupit punues, të cilët do ta kenë mundësinë e komentimit, përveç kontributit që kanë dhënë në një punëtori që kemi pasur dhe diskutimeve paraprake. Dhe mendoj që këto afate janë optimale dhe janë të arritshme. Dhe unë mendoj që mund ta përfundojmë edhe më shpejt nëse ecim me këtë dinamikë të punës që jemi duke e bërë”, i ka thënën KOHËS Nimoni. “Sa i përket Projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, edhe këtu është duke u punuar çdo ditë. Sot është një diskutim i grupit të gjerë dhe jemi duke diskutuar për katër çështje bazike të këtij projektligji: për atë se cili do të jetë fushëveprimi i ligjit, pastaj subjektet e këtij konfiskimi, gjithashtu për afatin kohor të këtij projektligji, pra pikënisja se nga cili vit duhet të fillojë dhe gjithashtu është edhe një çështje tjetër që ka të bëjë më shumë me këto institucionet – cili institucion do të jetë kompetent për inicimin e kërkesës fillestare apo verifikimin dhe pastaj që do ët procedohet në gjykatë”, ka shtuar ai.

Bashkimi Evropian, në dakordim me të cilin është lansuar ERA II, nuk ka dhënë një opinion mbi përfshirjen e këtyre dy nismave në Planin e Veprimit.

“BE-ja ka pranuar draftin e konsoliduar të Planit të Veprimit të ERA 2 nga Qeveria e Kosovës. Ne jemi aktualisht duke e analizuar këtë dokument për të parë se si veprimet e propozuara përputhen me prioritetet e ERA 2 më parë të dakorduara”, thuhet në një përgjigje të Zyrës së BE-së në Prishtinë.

Në Ministrinë e Drejtësisë thonë të jetë e përfshirë edhe BE-ja në procesin e hartimit të dokumenteve për të dyja nismat.

Genc Nimoni ka thënë të ketë pasur takime të nivelit më të lartë politik, e gjithashtu takime në Bruksel lidhur edhe me këto çështje.

“Na kanë konfirmuar se duhet të shkohet me hapa të sigurt, profesionalë, dhe gjithashtu kanë ofruar edhe shkreptizë prej anës së tyre. Sot ne jemi duke diskutuar, kemi punëtorinë për Projektligjin e pasurisë së pajustifikueshme. Anëtarë të këtij grupi janë edhe përfaqësues të vet Bashkimit Evropian, të cilët janë duke diskuar tani dhe ajo çka marrim prej tyre është se duhet të jetë një ligj i cili është në përputhje me kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe gjithashtu në përputhje me standardet ndërkombëtare”, ka thënë Nimoni. “Gjithashtu javën e shkuar kishim një takim të Nënkomitetit për drejtësi, siguri dhe liri, i Bashkimit Evropian dhe kemi diskutuar edhe këtë pikë dhe e kemi informuar se ku kemi mbërri me çështjen e Projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe gjithashtu për koncept-dokumentin për vettingun dhe në kuadër të diskutimeve ajo që kemi marrë prej tyre edhe në konkluzionet e vet tyre është se këto duhet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe gjithashtu me Kushtetutën e Kosovës”.

Plani i Veprimit të ERA II, do të jetë dokument bazë për të matur progresin afatmesëm të vendit drejt synimit afatgjatë për anëtarësim në BE.