Sipas Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarët dhe prokurorët mund të largohen nga sistemi për shkak të shkeljes së rëndë të detyrave të punës, performancës së dobët në vazhdimësi dhe për shkak të pasurisë së pajustifikueshme. Por ka ndaluar që shkarkimi të bëhet duke u bazuar në “integritet të cenuar”
Gjykata Kushtetuese ka dhënë të premten dritën e gjelbër për shumicën e amendamenteve kushtetuese për vetingun në drejtësi, përpos për njërin prej tyre.
Kjo gjykatë ka ndaluar largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të cilët në proces vetingu konstatohet se kanë “integritet të cenueshëm”.
“Amendamentet e propozuara kushtetuese nr. 27 dhe 28, përmes të cilave propozohet plotësimi i kriterit kushtetues për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për shkak të ‘mosrespektimit të rëndë të detyrave’, i përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe shkarkimi i gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, me formulimin ‘ka integritet të cenueshëm’, pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës”, është theksuar në njoftimin nga Kushtetuesja.
Por, Gjykata i ka konsideruar si kushtetuese ndryshimet e tjera të propozuara dhe të cilat ndërlidhen me shkarkimet për shkak të shkeljeve të rënda të detyrave të punës, për performancë të pamjaftueshme në vazhdimësi, si dhe për pasuri të pajustifikueshme.
Ajo i ka dhënë të drejtë Ministrisë së Drejtësisë në propozimet e saj, por ka theksuar se argumenti për shkarkim që lidhet me “integritet të cenueshëm” është i paqartë dhe i pajustifikuar.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka vlerësuar jetik procesin e vetingut, pasi Kushtetuesja e vlerësoi kushtetutshmërinë e amendamenteve.
“Ndonëse për më shumë se nëntë muaj vonesë, Gjykata konfirmoi çfarë është përcaktuar për këtë proces jetik për shtetin e së drejtës. Ka shumë punë përpara. Ne jemi të përcaktuar që me vullnet dhe përkushtim të tejkalojmë secilën pengesë që do të na dalë. Në përputhje me zotimet tona, me vullnetin e shprehur qytetar do të bëjmë reformën e thellë në atë çka qytetarët e kërkojnë më së shumti: Drejtësi”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Vendimin e ka kualifikuar si pozitiv edhe zëvendësi i Haxhiut, Vigan Qorrolli. Ai ka thënë se Ministria e Drejtësisë shumë shpejt do të fillojë së jetësuari praktikisht këtë reformë, të cilën e ka quajtur substanciale për sistemin e drejtësisë.
E Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), e ka quajtur lajm të mirë vendimin e Kushtetueses.
“Vetingu po vjen. Kërkesa dhe lobimi disavjeçar i IKD-së për veting të plotë, u përmbush pjesërisht me një veting të pjesshëm vetëm për pozitat menaxheriale në gjyqësor dhe sistem prokurorial. Tash me shpresë se Ministria e Drejtësisë dhe partitë politike në Kuvend sigurohen të hartohet një ligj, i cili përmbush kërkesat e amendamentit kushtetues, duke përfshirë grupet e interesit, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë”, ka shkruar ai në Facebook.
Propozimet për veting ishin dërguar në Kushtetuese nga kryetari i Kuvendit dhe 39 deputetë të tjerë.
Vetingu i plotë dhe i vazhdueshëm ka qenë premtimi kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Megjithëkëtë, pas opinionit të Komisionit të Venecias ka kaluar vetëm vetingu i pjesshëm që prek kryeprokurorët dhe kryetarët e të gjitha gjykatave, si dhe anëtarët e dy këshillave përkatëse, atij Prokurorial dhe Gjyqësor.