Arbëri

Berat Lahu dhe Edmond Azemi përjashtohen nga Vetëvendosja

Edmond azemi dhe Berat Lahu

Foto: Driton Paçarada

Dy asamblistët në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Berat Lahu dhe Edmond Azemi janë përjashtuar nga Lëvizja Vetëvendosje. 

Ata në seancën e mbajtur të premten në sallën e Kuvendit komunal janë ulur në fund të sallës, larg nga asamblistët e tjetër të Vetëvendosjes, si asamblistë “të pavarur”. 

Lëvizja Vetëvendosje e cila tani mbetet me 15 asamblistë në Kuvendin Komunal ka njoftuar për përjashtimin e tyre pas fillimit të seancës. 

“Berat Lahu dhe Edmond Azemi nuk janë më pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje!, me vendim të komisionit disiplinor të Lëvizjes. Vendimi i parë është marrë me datën 10.03.2025. Votimi dhe prezenca në seanca në të cilat dëmtohet interesi publik dhe tjetërsimi i vullnetit të qytetarëve për interesa të ngushta, janë arsyet e këtij përjashtimi. Rruga jonë është gjatë dhe vështirë, ata që për interese personale tjetërsojnë këtë rrugëtim nuk kanë vend në Lëvizje”, thuhet në njoftim.

Lahu flet për arsyet pse u përjashtua nga LVV-ja

Tanimë ish-asamblisti, Berat Lahu, e ka marrë fjalën në seancën e Kuvendin duke thënë se po do të flasë për “ndryshimin” që është parë në sallën e Kuvendi, duke iu referuar largimit të tij dhe të Azemit nga grupi. 

Ai dhe ka akuzuar Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje për humbje të zgjedhjeve. 

Lahu e ka akuzuar kryetarin e Qendrës në Prishtinë, njëherësh kandidat i VV-së për kryetar të kryeqytetit në zgjedhjet e kaluara Arben Vitia,  për sabotim të fushatës. 

“Në 2017 kryetar zgjidhet Arben Vitia dhe që në vitin e parë ka pas ankesa rreth punës që është bërë. Kemi pasur ankesa për mënyrën se si nuk është punuar në fakt. As edhe një mbledhje, as edhe një procesverbal nuk ekziston në Qendrën e Prishtinës qe 4 vjet. 2017 dhe 2021 nuk e kemi as edhe një asamblist më shumë, kemi stagnim, ndërsa garën për kryetar e humbim trupërisht, unë ia kam thënë Arben Vitisë që ne kemi humbur dhe nuk ka fituar LDK-ja as Përparim Rama, kandidati nuk ka dashur, ai e ka sabotuar fushatën, ai nuk ka dashur”, ka theksuar Lahu, duke shtuar se në këto kushte Vitia është dashur të jepte dorëheqje. 

Ai e ka akuzuar Vetëvendosjes në Prishtinë se i kanë udhëzuar asamblistët se si të votojnë. 

“Në qendrën e Prishtinës, përkundër që me statut i takon vendimmarrja e plotë dhe e vetme për çdo vendim, që të vijnë me mesazh para se të votohen për dhe kundër, thua që 17 vetë aty nuk dinë të mendojnë, por vetëm njëri di, kjo është kritikuar nga shumë asamblistë dhe nuk është ndërruar”, ka deklaruar Lahu.

Ai ka thënë se kulmi ka qenë tendenca për të bllokuar qoftë edhe debatin për Planin Zhvillimor komunal. 

“Tentimi dhe pamundësia çdo herë që në Komisionin për Financa të hiqet pika e rendit të ditës, Plani zhvillimor komunal e sjellë aty punën. Unë kam thënë që nëse VV-ja është kundër debatimit, jo kundër votimit, për të, këtu fshihet diçka e madhe dhe kjo ka sjellë që të sulmohem dhe para pak ditësh të marrë vendimin nga Komisioni disiplinor i VV-së se përjashtohem, për shkak se nuk jam koordinuar me grupin, për vendime të cilat i falin 50 milionë euro nuk koordinohem me grupin, ndihem i turpëruar që kam qëndruar aty, pajtohem që është për Prokurori e për Planin zhvillimor komunal besoj që do ta shihni deri në fund të mandatit se çfarë do të dalë”, ka deklaruar Lahu.

Anëtarët e VV-së në Kuvend nuk kanë folur lidhur me këto akuza. 

Berat Lahu dhe Edmond Azemi si deputet të  të pavarur (Foto: KOHA)