Arbëri

Vetëvendosje rikujton ligjin antikushtetues

Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, në një postim në Facebook e rikujtoi ligjin për çmimet tavan në produktet bazë, që ishte miratuar në tetor të 2022-s e ishte rrëzuar një vit më pas nga Gjykata Kushtetuese.

Në postimin e saj, Vetëvendosje ka thënë se “sikur të mos dërgohej ky ligj nga opozita e bllokohej nga Gjykatata Kushtetuese, sot qytetarët do të paguanin shumë më lirë për produket esenciale”.

Partia në pushtet e ka akuzuar opozitën që e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjin i cili caktonte çmimet tavan për produktet bazë. Ky ligj më 24 nëntor 2023 u rrëzua nga Kushtetuesja që konstatoi se ai s’është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.


16 nëntor 2022:


Qeveria pati thënë se ligji është hartuar për shkak të “rritjes së paarsyeshme të çmimeve bazë dhe ankesave të shumta të qytetarëve, lidhur me rritjen e menjëhershme të çmimeve te të gjitha produktet bazë”.

Tani partia në pushtet, në dyvjetorin e dërgimit të ligjit në Kushtetuese nga opozita, ka akuzuar partitë opozitare dhe Kushtetuesen për “heqjen e mundësisë për kontroll më efektiv të devijimit të çmimeve”.

“Më 22 tetor të vitit 2022, me propozim të Qeverisë Kurti, Kuvendi miratoi Projektligjin për Çmimet Tavan, si një masë shtesë për të parandaluar manipulimin e qëllimshëm të çmimeve nga bizneset. Por, opozita - e cila ka dëshmuar se mbron më shumë interesat e grupeve milionere dhe oligarkëve, për ta pamundësuar zbatimin e tij, e dërgoi menjëherë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese. Më 23 nëntor 2023, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi Ligjin për Çmimet Tavan, duke hequr mundësinë për një kontroll më efektiv të devijimit të çmimeve. Si rezultat, edhe pse inflacioni ka rënë, çmimet vazhdojnë të jenë të paarsyeshme. Pavarësisht këtij luftimi e sabotimi nga ana e opozitës dhe mekanizmave të kontrolluar nga ajo, Kosova vazhdon të ketë nivelin më të ultë të rritjes së çmimeve. Imagjinoni edhe me Ligjin për Çmimet Tavan sa më të balancuara do të ishin sot çmimet!”, thuhet në postimin e VV-së.

Sipas qeverisë, ligji do të aplikohej në raste të veçanta të destabilizimit në treg. Ky ligj, që tashmë është i pavlefshëm, i konsideronte produkte themelore drithërat, bukën, miellin, orizin, pastat, vajin ushqimor të lulediellit, qumështin, kripën e kuzhinës, vezët e pulës, mishin e pulës, sheqerin kristalor, produktet e higjienës personale dhe lëndët e drurit për djegie.