Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan është duke insistuar që në pozitën e nënkryetarit për komunitete të zgjidhet një anëtar nga komuniteti turk gjersa në pozitën e zëvendëskryesuesit të Kuvendit të caktohet një anëtar nga komuniteti serb.
Mirëpo këtë po e kundërshton Lëvizja Vetëvendosje e cila vlerëson se këto dy pozita nuk i takojnë komuniteteve, meqë me ligjin për vetëqeverisje lokale është përcaktuar se këto dy pozita rezervohen për komunitetet atëherë kur 10 për qind e qytetarëve në një komunë i takojnë komunitetit jo shumicë. Vetëvendosje vlerëson se në bazë të regjistrimit të popullsisë, që është realizuar në vitin 2011, komuniteti serb dhe komuniteti turk nuk përbëjnë 10 për qind të popullsisë në Gjilan. Kjo parti kërkon respektimin e ligjit për vetëqeverisjen lokale.
Qëndrimet e VV-së dhe LDK-së janë paraqitur sot në takimin e Komitetit për Politikë dhe Financa i cili është kryesuar nga Shpresa Kurteshi-Emini.
Pas diskutimeve për këtë çështje, me 4 vota për dhe 3 kundër, Komiteti për Politikë dhe Financa i ka rekomanduar Kuvendit që të shqyrtojë propozimin për emërimin e nënkryetarit të komunës për komunitete si dhe zgjedhjen e zëvendëskryesuesit të kuvendit.
Kryesuesja e Komitetit, Shpresa Kurteshi ka deklaruar se komiteti është vetëm trup rekomandues ndërsa për çështjet të cilat propozohen merr vendim Kuvendi Komunal, ligjshmëria e të cilave pastaj verifikohet edhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Pas përfundimit të takimit anëtari i Komitetit, Avdyl Aliu nga radhët e LDK-së, i ka deklaruar KOHËS se kanë propozuar këto dy pozita meqë duan që komunitetet të jenë të përfshira në vendimmarrje pavarësisht se këto dy pozita për komunitete nuk janë të obligueshme për këtë komunë.
“Nuk e kemi obligim kushtetues dhe as ligjor por është në vullnetin tonë dhe kemi treguar një vullnet politik t’i përfaqësojmë komunitetet në vendimmarrje dhe kjo na bënë si komunë mirë edhe tek donatorët ndërkombëtar” ka thënë ai.
Ndërkaq këshilltarja komunale nga radhët e VV-së, Arjeta Rexhepi deklaron se nuk mund të përkrahin nismat të cilat janë në kundërshtim me ligjin.
“Për shkak të ligjit për vetëqeverisje lokale nuk kemi nevojë që t’i kemi këto dy pozita ngase kërkohet që 10 për qind e popullatës në një komunë të jetë nga komuniteti jo shumicë. Komuna jonë prejse është bërë decentralizimi nuk ka numër të madh të komuniteteve, sidomos serbë. Nuk e përbëjnë as 10 përqindëshin në bazë të regjistrimit të popullsisë. Pasi nuk janë 10 për qind nuk kemi nevojë për këto dy pozita” ka thënë ajo.
Edhe në të kaluarën iniciativat për zgjedhjen e nënkryetarit dhe zëvendëskryesuesit për komunitete nuk kanë gjetur përkrahje nga subjektet e tjera politike shqiptare dhe iniciativat e LDK-së në këtë pikë janë bllokuar.