Opozitarët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë ngritur dyshime lidhur me tenderët e Komunës së Prizrenit për ndriçimin publik në lokalitete të ndryshme. Ata kanë kërkuar që aktivitetet e prokurimit të hetohen nga organet përgjegjëse. Por, pretendimet e këtij subjekti politik janë hedhur poshtë nga zyrtarët komunalë
Opozita në Prizren ka shprehur dyshime për aktivitetet e prokurimit për ndriçimin publik në lokalitete të ndryshme, e që janë realizuar nga ekzekutivi i Komunës.
nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë vlerësuar se këto veprime të Qeverisë komunale meritojnë që të hetohen nga organet e drejtësisë.
Anëtari i Kuvendit të Prizrenit nga radhët e Vetëvendosjes, Islam Thaqi, tek arsyetoi kërkesën për nevojën e hetimit të tenderëve, tha se Komuna ka një kontratë për ndriçimin publik, përkatësisht instalimin dhe riparimin e tij, me vlerë afro 1.4 milion euro dhe se ajo është valide deri më 1 shkurt 2024.
“Drejtoria e Shërbimeve Publike paralelisht ka hapur tenderë për shërbime të njëjta në fshatin Korishë, në vlerë prej gjysmë milioni eurosh, njëkohësisht edhe në fshatin Lubizhdë me 400 mijë euro. Pra i gjithë qyteti me kontratë prej afro 1.4 milion eurosh, kurse dy vendbanime me afër 1 milion euro”, ka thënë Thaçi. “Nuk po ju mjafton kjo dhe më datën 22 shkurt 2023, kryetari nënshkruan edhe një vendim për furnizim dhe instalim të materialit elektrik për ndriçim publik. A thua sa do të jetë vlera e këtij tenderi të radhës?”.
Por, pretendimet e tij janë hedhur poshtë nga zyrtarët komunalë. Zëdhënësja e Komunës së Prizrenit, Jona Hoxhaj, tha se kontratat e fundit për instalime të ndriçimit publik dallojnë nga kontrata aktive.
“Kontrata të cilën ne e kemi trashëguar nga qeverisja e kaluar për ndriçimin publik është një kontratë e cila është për mirëmbajtjen e ndriçimit publik në Komunën e Prizrenit. Kurse kontratat, të cilat momentalisht janë bërë janë kontrata për instalimin dhe çështjet teknike për ndriçimin publik në këto fshatra, që njëra ndër to është Korisha”, ka thënë zëdhënësja Hoxhaj.
Kontrata në vlerë prej afër 1.4 milion eurosh për ndriçimin publik e nënshkruar gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes në Prizren ka qenë subjekt i hetimeve. Në fund të vitit 2021, Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj tre afaristëve me dyshimin se kanë kryer veprat penale “keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “falsifikimi i dokumenteve”.