Arbëri

Vetëvendosje fajëson Qeverinë për ngecjet e evidencuara në Raportin e Progresit

Stagnimi në progresin e sistemit të drejtësisë, atë arsimor dhe të shëndetësisë janë vetëm disa prej gjetjeve që Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2020 ka evidentuar. 

Për këto, Lëvizja Vetëvendosje e fajëson qeverisjen aktuale, e cila sipas tyre e renditi sërish Kosovën në një nga vendet më të pazhvilluara në Ballkanin Perëndimor.

"Raporti kur flet për Qeverinë Kurti, flet për zhvillim ekonomik, flet për përkushtim në reforma evropiane, flet për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, për çlirim të bordeve të cilat kanë pasur një numër të madh të parregullsive, ndërsa kur i adresohet qeverisë jolegjitime Hoti, përfundon dhe fillon te dialogu me Serbinë. Procesi i integrimit nuk është dialogu me Serbinë, problemi kryesor, sfida kryesore e jona është sundimi i ligjit", ka thënë Taulant Kryeziu nga VV-ja.

E deputetja Fitore Pacolli, thotë se në bazë të këtij raporti që nga viti 2012, Kosova nuk ka bërë progres në mbi 30 fusha të ndryshme.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se në raport theksohet se ka pasur hapa pozitivë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit më të lartë, por që duhet zhvilluar edhe më tej sistemi i përcjelljes së rasteve.

“Raporti i Komisionit për Kosovën cek qartë se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë ka pasur hapa pozitivë, porse duhet zhvilluar edhe më tej sistemi i përcjelljes së rasteve. Kjo mund të ndihmojë t’i bindë shtetet anëtare të BE-së që janë hezituese drejt liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka shkruar ajo në Twitter.

Ndërsa, Grupi për Studime Juridike dhe Politike vlerëson se edhe këtë vit, sipas Raportit, evidentohet qasja neglizhente e ekzekutivit ndaj procesit integrues.

"Ne në vazhdimësi kemi monitoruar procesin e përmbushjes së kritereve të Strategjisë së Zgjerimit për Kosovën që nga viti 2012. Raporti për shtetin për vitin 2020 nuk përbën ndonjë risi në vlerësimin e përgjithshëm të defekteve të institucioneve të Kosovës, dhe mendojmë që po neglizhohet njëjtë sikur që është neglizhuar në 10 vjetët e fundit", ka thënë Arbëreshë Loxha nga GLPS-ja.

Sipas GLPS-së, Raporti thekson që Qeveria vazhdon të jetë seriozisht e pafuqishme politikisht dhe e paaftë për të adresuar listën e reformave kyç në procesin integrues.