Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje e aktivistë kanë reaguar për fyerjen që zëvendësdrejtori i përgjithshëm i RTK-së i ka bërë deputetes Doarsa Kica-Xhelili të premten, një ditë pasi ajo në Interaktiv të KTV-së u shpreh se kur në një komision parlamentar u përmend emri i Shalës, RTK-ja ndërpreu transmetimin direkt.
Në reagimin e tij, Shala shpërtheu me ofendime duke thënë se Kica-Xhelili ka dëshirë t’ia përmend emrin e se “e ka mendjen vetëm tek ai”. “A e caktojmë një takim Doarsë, për drekë a për darkë a? Që donë i thërrasim edhe ato mikeshat e tua në RTK! Kënaqemi edhe të tregoj për krejt RTK-në, edhe nime e kupton çka është RTK-ja. E miqtë e RTK-së?! Jo valla s’po i thërrasim”, ka shkruar Shala në Facebook.
Ndërkaq në reagimet ndaj tij, deputete të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, e kanë cilësuar të papranueshme gjuhën e Shalës ndaj Kica-Xhelilit e janë shprehur se reagimi i zëvendësdrejtorit shfaq nevojën për reforma në RTK. Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar nga Shala të kërkojë falje për të gjitha gratë dhe vajzat që punojnë në RTK, teksa ka thënë se gjuha e tij “tregon nivelin e katandisjes së një individi i cili problemet dhe dështimet profesionale mundohet t’i mbulojë me fyerje e intimidim personal ndaj një personaliteti publik”.
“Si shefe e grupit parlamentar të LVV, si grua dhe vendimarrëse, e konsideroj jo vetëm të ulët dhe totalisht të papranueshme këtë gjuhë, por edhe me pasoja për mënyrën se si vazhdojnë të trajtohen gratë në jetën publike me përgjegjësi në vendimmarrjen politike. z. Shala jo vetëm që duhet të tërhiqet dhe kërkoj falje për këtë deklaratë ndaj znj. Xhelili, por ai duhet të ju kërkoj falje të gjitha grave dhe vajzave të cilat punojnë sot në RTK të cilat ky i ofendoi me postimin e tij, përfshirë edhe bashkëshorten e tij, e cila është njëherësh është edhe kolegia e tij në RTK. Asnjë ofendim dhe gjuhë fyese nuk mund të ndalë reformën në vend. Asnjë linçim dhe intimidim, nuk e zmbraps vullnetin për të vazhduar proceset përparuese, në të kundërtën, në këto situata, ne vetëm e kuptojmë se sa e domosdoshme dhe sa e vonuar është reforma për vendin. Ata të cilët refuzojnë ta kuptojnë këtë, do të mbesin të dëshpëruar dhe turpëruar për veten e vet”, ka thënë ajo.
“E papranueshme gjuha e përdorur ndaj deputetes Doarsa Kica Xhelili. Edhe më e papranueshme bëhet kur kjo vjen nga një njeri që ka udhëhequr me transmetuesin publik për të cilin paguajnë vet qytetarët e Republikës së Kosovës. Kjo mënyrë e të shprehurit ndaj deputetes e cila përveç të vërtetës së hidhur nuk ka thënë asgjë tjetër është vetëm një tregues që këta keqpërdorues po i hedhin shqelmat e fundit dhe të gjithë do të hetohen dhe do të sillen para drejtësisë për keqmenaxhimet e mundshme për të cilat dyshohen që i kanë bërë”, ka thënë deputetja Adriana Matoshi.
“Ky zotëria, iu paska drejtu në këtë mënyrë një deputeteje të Kuvendit të Kosovës, të cilën duke e quajtur bukuroshe e fton madje edhe në darkë. Definitivisht skandaloze. Dhe aspak e tolerueshme. Dhe aq më tepër shqetësuese, kur vjen nga dikush që dikur ka udhëheq me institucionin ku do të duhej të kultivohej barazia dhe të promovohej edukimi”, ka shkruar në Facebook, deputetja Arbëreshë Kryeziu-Hyseni.
Ndërkaq deputetja Arjeta Fejza e ka cilësuar gjuhën e Shalës si seksiste.
“Një Mentor Shala, që na doli në skenë bashkë me keqpërdorimet e keqmenagjimin e RTK-së, shpërfaqi seksizmin e mizogjenin e tij sot po ashtu. Në një status në facebook ai paska shkruar si një deputete është bukuroshe dhe po e fton për takim. E para reduktimi i gruas në fizik e me mbështjellës gjoja estetik është seksist. E dyta me u taku siç e ka shkruar në tekst ky i lartëpërmenduri është një ofendim i skajshëm. Kundër mizogjenisë e seksizmit, çlirim i hapësirës publike”, ka shkruar ajo.
Deputetja tjetër, Fjolla Ujkani, ka thënë se Shala është “pasqyrë e asaj që e kemi kritikuar qe një kohë të gjatë”.
“Ja edhe një arsye shtesë pse reformat rrenjësore në RTK janë të domosdoshme. Gjuha seksiste është e papranueshme, e aq më tepër kur ajo shprehet nga njerëz që përfaqësojnë institucione shtetërore. Fatkeqësisht, Mentor Shala është pasqyrë e qartë e asaj që e kemi kritikuar që një kohë të gjatë. Pra, instalimi i njerëzve joprofesionist e pa integritet në RTK. Reforma e premtuar do të ndodhë. Sa më shpejtë, aq ma mirë për shoqërinë. Gjuha e tillë duhet dënuar!”, ka thënë ajo.
Aktivistja Flutura Kusari ka thënë se për Shalën RTK-ja duhet të ndërmarrë veprime disiplinore të menjëhershme.
Ndërkaq, Rrjeti i Grave të Kosovës ka thënë se gjuha e Shalës është seksiste e diskriminuese ndaj grave, “si dhe për më tepër mirëmban dhe riprodhon raportet veçse të pabarabarta shoqërore, ekonomike dhe kulturore ndërmjet grave dhe burrave”.
“Çdo fjali e Shalës në publikimin e tij të bërë në rrjetin social Facebook është seksiste e diskriminuese. Asnjë fjali e Shalës nuk është kritikë për punën e Kica-Xhelilit si deputete - post që ajo e mban nga votat e qytetarëve. Shala, thjesht nuk do të duhej të merrej fare me pamjen e deputetes Kica-Xhelili, apo të cilës do deputete tjetër. Gratë vazhdojnë të jenë pjesë konstruktive e proceseve politike në Kosovë, andaj RrGK e dënon ashpër çdo tentativë për zhvleftësimin e rolit të tyre politik përmes akteve seksiste dhe mizogjeniste. Gjithashtu, kjo praktikë e sfidon rrënjësisht arritjen e një shoqërie të barabartë, gjithëpërfshirëse, si dhe dëmton dhe aspiratat progresive të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim të RRGK-së.