Të dështuar po e konsideron Lëvizja Vetëvendosje projektin e shtëpizave të vendosura në qytetin e Obiliqit. Sipas zyrtarëve të saj, ky projekt që ka kushtuar rreth 33 mijë euro nuk është funksionalizuar asnjëherë deri tash. Shefi i Grupit të këshilltarëve të kësaj partie, Sami Ahmeti, ka theksuar se ky projekt është bërë pa një planifikim të mirëfilltë paraprak.
“Edhe në njërën nga seancat e Kuvendit Komunal në Obiliq, si këshilltarë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje e kemi ngritur çështjen e këtyre shtëpizave që shumica e tyre janë vendosur në hapësira të gjelbra dhe nuk janë duke u shfrytëzuar. Edhe pse ishin vendosur në muajt e verës, përfaqësuesit e ekzekutivit na thanë që janë të parapara për aktivitetet e fundvitit. E tash kaloi fundviti dhe asnjëra prej tyre nuk është marr në shfrytëzim”, ka deklaruar Sami Ahmeti.
“Arsyet për mosshfrytëzimin e tyre janë të shumta: janë bërë pa hulumtim paraprak të nevojave, mos planifikimi i duhur dhe më e keqja kemi informata nga qytetarët që për marrjen e tyre u është kërkuar të japin mito. Këto shtëpiza që janë gjithsej 10 sosh, sipas kontratës komunës i kanë kushtuar 30000€ e në ndërkohë është bërë edhe një aneks kontratë në vlerë 2990€”.
Krejt ky investim, sipas këshilltarit të VV-së, është bërë në koordinim me operatorin ekonomik dhe vetëm në favorin e tij pa e ditur se a ka vërtet komuna nevoja të tilla.
“Ne kemi shumë kategori tjera që kanë nevoja imediate për investime si p.sh. laboratorët dhe kabinetet në shkolla, e shumë prej shkollave kanë mungesë të letrave, fotokopjuesve, printerëve etj., e që me këto mjete që janë harxhuar kot do të mund të përmirësohej gjendja në to. Ky është vetëm njëri nga projektet e dështuara të kësaj komune e që kohëve të fundit për shkak të aferave të shumta korruptive është bërë vendqëndrim i Policisë së Kosovës, respektivisht njësisë për krime ekonomike”, ka thënë ai.
Ndërkohë, drejtori për Shërbime Publike dhe Emergjencë, Abdyrrahman Krasniqi, ka thënë se vendimi i Qeverisë për të mos dekoruar sheshet e ka zbehur interesimin e qytetarëve për t’i marrë në shfrytëzim këto shtëpiza.
“Shtëpizat janë menduar për festat e fundvitit dhe ditët e diasporës. Pak ka pasur të interesim nga bizneset e qytetarët, duke pas parasysh vendimin e Qeverisë për të mos dekoruar sheshet, ne si komunë e kemi respektuar. Kemi pas tri biznese që kanë aplikuar, dy nga to i kanë nënshkruar kontratat, por pas vendimit të qeverisë për të mos i dekoruar sheshet është zbehur interesimi”, ka thënë Abdyrrahman Krasniqi.
Ai e ka mohuar se dikujt i është kërkuar mito në këmbim të dhënies në shfrytëzim të këtyre shtëpizave.
“Sa i përket pyetjes si dikujt i është kërkuar mito, kjo nuk qëndron edhe nëse ka diçka të tillë bashkërisht me VV-në shkojmë dhe e paraqesim te organet e rendit”, ka thënë ai.