Arbëri

Vetëvendosje dyshon për kurdisje të konkursit për stomatolog në Obiliq

I kurdisur po konsiderohet konkursi për pranimin e një stomatologu në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Obiliq.

Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë kanë thënë se bazuar në Udhëzimin Administrativ 04/2020 një stomatolog ofron shërbime për pesë mijë banorë.

Aktualisht, institucionet shëndetësore në Obiliq i kanë pesë stomatologë, ndërkohë që krahasuar me numrin e banorëve i bie që një stomatolog është më tepër se që e parasheh ky dokument.

E me konkurs pritet të pranohet edhe specialisti i gjashtë i kësaj fushe.

“Këtë konkurs ne e konsiderojmë si konkurs plotësisht i kurdisur për rehatimin e personave të cilëve u ka premtuar në fushatë zgjedhore. Kemi emrat e personave, e kemi emrin se cili do të pranohet, gjithashtu edhe dy emrat e tjerë të cilët do ta plotësojnë kuotën minimale të aplikantëve për ta bërë atë konkurs të vlefshëm”, tha Sami Ahmeti, shef i grupit të këshilltarëve të Vetëvendosjes në Obiliq.

Ahmeti ka theksuar se shumë shërbime të tjera shëndetësore kanë mungesë të specialistëve dhe ky konkurs e pamundëson marrjen e ndonjë mjeku të fushave të tjera ku ka më shumë nevojë.

Drejtori i QKMF-së në Obiliq, Haki Jashari, e pranon se udhëzimi administrativ e cakton edhe numrin e stomatologëve që duhet pranuar bazuar në numrin e banorëve, por shton se për Obiliqin ka nevojë ende për mjekë të kësaj fushe.

“Sa i përket çështjes së numrit të banorëve dhe korrespondimit me stomatolog është e vërtetë në bazë të Udhëzimit Administrativ. Mirëpo, Obiliqi i ka specifikat e veta në bazë të kontrolleve, analizave dhe raportit që marrim nga kontrollet sistematike të nxënësve ka dalë rreth 88 për qind e nxënësve që vuajnë nga sëmundjet e dhëmbëve, sidomos kariesit”, tha Jashari.

E zyrtarët komunalë të Obiliqit, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, kanë thënë se ata janë në shërbim të qytetarëve e jo politikave elektorale.

“Komuna e Obiliqit është institucion i vënë në shërbim të qytetarëve dhe jo i politikave ditore e as politikave elektorale. Ne në vazhdimësi jemi të përkushtuar në ofrimin e shërbimeve sa më cilësore dhe efikase shëndetësore. Ne respektojmë rolin e opozitarizmit, por në të njëjtën kohë vlerësojmë se angazhimi ynë duhet të jetë i përbashkët për mirëqenie e shëndetësi cilësore”., thuhet nga Zyra për Informim e Komunës së Obiliqit.

Ahmeti i VV-së, ka theksuar se kjo formë, është e dëmshme, sidomos për profesionistët shëndetësorë.