Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në Pejë ka akuzuar Universitetin Publik “Haxhi Zeka” në Pejë se po vazhdon me punësime në baza partiake nga subjekti PDK. Në një reagim publik të LVV-së në Pejë, thuhet se PDK-ja edhe në ditët e tyre të fundit nuk e ndalin maskaradën në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”, për ta vazhduar punësimin e militantëve të tyre.
Kësaj here, sipas LVV-së, është punësuar vëllai i anëtarit të Këshillit Drejtues të këtij universiteti. “Një ditë pas zgjedhjeve, ku qytetarët me votë vendosën t'i largojnë nga pushteti, anëtarit të Këshillit Drejtues të Universitetit, Gazmend Shabaj, që është aty vetëm për shkak të përkatësisë partiake, ju ka punësuar edhe vëllai, Arianit Shabaj, si asistent ekzekutiv. I njëjti e ka babën e punësuar në Administratën e Universitetit. Kjo është fytyra e vërtetë e atyre që po ikin për të mos u kthyer më”, thuhet në reagimin e LVV-së në Pejë.
Konkurse në fushatë
Sipas LVV-së, Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka” është i mbushur me militantë e eksponentë të PDK-së.
“Aty kriteri i vetëm është lidhja me pashallarët e PDK-së. Për këtë kanë reaguar organizata joqeveritare, subjekte politike dhe profesorë e profesionistë që janë larguar nga aty vetëm se nuk ishin vartës të tyre. Asnjë shenjë e keqardhjes apo reflektimit nuk është parë. Universitetet tona kanë nevojë urgjente për çlirim nga duart që e kanë ngulfatur. Universiteti ‘Haxhi Zeka’ ka nevojë për ngritje të cilësisë së mësimdhënies e mësimnxënies, e kjo assesi nuk bëhet duke instaluar militantë e familjarë”, është reagimi i LVV-së në Pejë për punësimet e fundit, që sipas këtij subjekti kanë ndodhur mu gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)