Arbëri

Vetëvendosje do që të mos ketë vonesa për reformën zgjedhore

Brenda një periudhe dhjetëvjeçare nisën iniciativa të shumta për të bërë reforma në sistemin zgjedhor, por asnjëra nga to nuk pati ndonjë epilog. Përfundim nuk kishte as tentimi i presidentit Hashim Thaçi për hartimin e një drafti zgjedhor, shkaku i refuzimit të subjekteve politike për të marrë pjesë në takime.

Puna në gjysmë i mbeti edhe grupit punues të përfaqësuar nga deputetë të partive të ndryshme nga legjislatura e kaluar, shkaku i shpërndarjes së Kuvendit. Kështu, Kosova hyri në zgjedhje pa reformë zgjedhore, proces ky i cili pas përfundimit, nxori në pah nevojën e madhe për ta bërë një gjë të tillë.

Monitorues të procesit elektoral nga shoqëria civile thonë se ligji për zgjedhjet duhet të pësojë shumë ndryshime nga zonat e votimit e deri te numërimi. Kjo, në mënyrë që sipas tyre, të mos përsëriten problemet teknike dhe administrative që përcollën zgjedhjet e fundit parlamentare.

Se nuk duhet të ketë vonesa më tepër në këtë drejtim, e thonë në subjektin politik fitues të zgjedhjeve të fundit, Lëvizja “Vetëvendosje”. Adnan Rrustemi, që është edhe anëtar i KQZ-së nga kjo parti, thotë se legjislatura e re duhet të nisë punën menjëherë për reformën zgjedhore në aspektin administrativ.

Edhe Bashkimi Evropian kishte kërkuar nga spektri politik që të vazhdohet me reforma elektorale, në mënyrë që ky proces të forcojë demokracinë në vend.

Kohavisioni i ka shkruar edhe Zyrës së Presidentit se a do të ketë edhe ndonjë iniciativë për reformën zgjedhore pas formimit të institucioneve, por nuk ka marrë përgjigje.