Arbëri

Vetëvendosje akuzon Prokurorinë për taktikë dhe strategji të padrejtësisë në rastin Dehari

Astrit Dehari

Sikur Qeveria, edhe Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar të enjten Prokurorinë Speciale se po përdor taktikë e strategji të padrejtësisë për rastin e vdekjes së ish-aktivistit të kësaj partie, Astrit Dehari.

Dehari qe gjetur i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, bashkë me disa aktivistë të tjerë. Institucionet vendore kishin konstatuar se bëhet fjalë për vetëvrasje, por me këtë s’ishte pajtuar familja. Për rastin, ishte kërkuar një raport i ekspertizës nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës. Të martën, Prokuroria Speciale njoftoi se më 1 prill ka pranuar raportin. Sipas njoftimit dërguar mediave, raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë për rastin e Astrit Deharit, konstaton se “analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me Deharin, në momente të afërta me vdekjen (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali) nuk kanë treguar profil të ADN-së për veç të atij, Astrit Dehari”. Gjithashtu në raport, sipas Prokurorisë Speciale, thuhet se analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Deharit, kanë treguar prani të kafeines e jo etanolit.

Publikimi i pjesshëm i raportit, sipas Vetëvendosjes, s’është punë “për drejtësi, por taktikë dhe strategji e padrejtësisë”.

“Këtë gjë ka bërë Prokuroria e Kosovës, pa u brengosur aspak për aspektin njerëzor të familjarëve e shokëve të Astrit Deharit, por mbi të gjitha, pa u shqetësuar fare për drejtësinë dhe ligjin në Republikën e Kosovës, gjë e cila do të duhej të ishte mision kryesor i atij institucioni. Instrumentalizimi politik i institucioneve të drejtësisë lehtë përfundon në instrumentalizim kriminal të atyre institucioneve. Këtë na i tregon të gjithëve rasti i Astrit Deharit. Por ndryshimi i madh që ka ndodhur në Kosovë kërkon t’i jepet fund drejtësisë që fsheh krimet dhe dënon të pafajshmit. Ai ndryshim nuk kthehet pas, institucionet do të çkapen, drejtësia do të pavarësohet”, ka thënë kjo parti që ka kërkuar përgjegjësi nga zinxhiri institucional i asaj kohe.

“Ashtu siç nxituan atëherë për ta shpallur vetëvrasje, ashtu po nxitojnë dhe sot, për komunikata me informacione selektive. Asnjë komunikatë e asnjë reagim i atyre që e kishin dhe e kanë detyrë ligjore zbardhjen e rasit, nxjerrjen para përgjegjësisë e mundësimit të drejtësisë së plotë për Astritin, nuk mund të shfajësojë as zinxhirin institucional të kohës, e as përgjegjësinë institucionale të prokurorisë së sotme. Drejtësi për Astritin pashmangshëm nënkupton nxjerrjen e përgjegjësve para gjykimit. Nga arrestuesit e tij me akuza të fabrikuara, te përgjegjësit e burgut, drejtori i policisë e Kryeprokurorin Sylë Hoxha për pretendimet e tij të pabazuara, kontradiktore e deklaratat e rrejshme”, thuhet në reagimin e VV-së.

Kjo parti ka thënë se burgosja e Deharit dhe mbajtja e tij në burg për dy muaj ishte “sulmi i parë i dhunshëm kriminal ndaj të drejtave njerëzore e qytetare të Astrit Deharit, për të përmbushur kësisoj atë që më pas do përbënte edhe përfundimin e këtij krimi; nxjerrjen e tij si të vdekur nga burgu”.

“Kësodore, vrasja e tij nuk fillon me vdekjen e tij, por pikërisht me arrestimin e tij nga dora e shtetit e që vdiq në duar të shtetit. Po bëhen 5 vite, kur ky rast po vazhdon të hetohet, veçmas pas ekspertizës plotësuese të Institutit zviceran, Prokuroria Speciale e Kosovës, sërish me vrap del për të propaganduar njëanshëm rezultatin e këtij raporti, përmes një komunikate, që dëshmon për mangësi të theksuar profesionale e gjuhë e qëllim dashakeq. Nga një qasje e tillë nuk kemi si mos të jemi të zhgënjyer.Jemi të bindur, si aktivistë dhe si qytetarë, se asnjë pengesë e stisur, e asnjë individ apo grup, të cilët mund ta kenë qëllim moszbardhjen e rastit Dehari, nuk mund ta sfidojnë drejtësinë”, përfundon reagimi i VV-së.