Arbëri

Vetëvendosja synon që gjysmën e votave t'i sigurojë nga gratë

Përkrahje nga gratë e vajzat Lëvizja Vetëvendosje, pas Podujevës, i kërkoi edhe në Mitrovicë. Përfaqësues të këtij subjekti thanë se përveç daljes masive të tyre në zgjedhje synojnë që gjysmën e votave nga 9 shkurti ta kenë nga gratë e vajzat. Në një tubim me to u tha se qeverisja e deritanishme e Vetëvendosjes ka qenë e vetmja që ka pasur masa të veçanta për fuqizimin e grave

Votën e grave e kërkuan përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje në takimin me to në Mitrovicë. Përveç synimit të fitores të së paku 500 mijë votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, thanë se presin që gjysma prej tyre të jenë gra e vajza.

Nga të gjithë pjesëmarrësit, më së shumti entuziazëm ngjalli prania e fjalimi i kandidatit për deputet Glauk Konjufca. Ai tha se janë duke punuar që vitin 2025 ta përmbyllin me rënie të rasteve të dhunës ndaj grave. 

“Shpresoj shumë që kjo do të ndodhë për shkak të masave shumë të rëndësishme që janë marrë edhe nga ministria që e drejton Albulena edhe nga ministria që e drejton Xhelali që në faza shumë ma të hershme të identifikohet ky presion, kjo dhunë kundër grave e pastaj të merren masat prej policisë e deri te drejtësia me dënime ma të ashpra kundër dhunuesve të grave e vajzave”, tha ai.

Sipas tij, në këtë drejtim është bërë punë e madhe, sidomos në konsolidimin e mekanizmave për ta ndalur krimin ndaj grave e vajzave. 

“Presioni - prej presionit në rrugë, e në restorant e në kafe e deri te presioni në punë e pastaj edhe çka është më tronditësja, ma e papranueshmja dhuna fizike që pastaj manifestohet kundër vajzave dhe grave, disave prej të cilave edhe iu mor jeta gjatë vitit që e lamë pas, por edhe në vitet e mëparshme”, tha ai. 

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Konjufca tha se pret përkrahje të madhe nga gratë e vajzat. 

"Unë kam shumë respekt për gratë edhe gratë kanë shumë respekt për mu. Mendoj që në VV gati jam kanë në vendin e parë. Po Hekurani po ma rrezikon pozitën me këto shtesa e me këto”. 

E kandidati tjetër për deputet, Hekuran Murati, vuri në pikëpyetje premtimet e partive të tjera opozitare në lidhje me masat për gratë.  

“Tash e keni pa që në fushatë edhe subjektet e tjera kanë dalë, se e kanë pa që gratë realisht qenkan edhe fuqi politike, pra edhe mund ta bëjnë ndryshimin, edhe kanë dalë e po premtojnë edhe ata që do të marrim masa për gra, që do të bëjmë atë, do ta bëjmë këtë shtesë, do të bëjmë atë shtesë. Por a mund të më tregoni një herë, a ju kujtohet ndonjë masë e vetme, qoftë edhe një masë gjatë 20 vjetëve që ata kanë qenë në pushtet që e kanë marrë për me i mbështet gratë? Asnjë. Për 20 vjet kurrë asnjë masë nuk e kanë bërë. Prandaj besoj që e kemi të qartë që gratë kujt i besojnë tash edhe sa i përket premtimeve se çfarë do të ndodhë në katër vjetët e ardhshëm", ka thënë Murati.

Ministri i Financave tha se masa për to ka ndërmarrë vetëm qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje. 

“Përveç vazhdimit të rritjes edhe të shtesave të fëmijëve edhe të shtesave për gratë lehona kemi paraparë dhe masa të reja që përfaqësojnë edhe më tutje pra fuqizimin e grave në shoqërinë tonë. Gjitha këto masa, gjitha këto mbështetje i kemi bërë me vetëm e vetëm synimin e qartë që thashë si qeveri që t’i mbështesim gratë, t`i fuqizojmë ekonomikisht dhe të arrijmë barazinë të cilën pra të gjithë duhet ta synojmë”, tha ai tek përmendi edhe synimin që për këtë vit të impelementojnë platformën “Super puna” edhe për gratë. Përmes kësaj platforme, për gjashtë muajt e parë rroga prej 350 eurosh subvencionohet nga Qeveria.

Murati iu bëri thirrje pjesëmarrësve që në listën e Vetëvendosjes të votojnë sa më shumë gra. 

Thirrjes iu bashkua edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. 

"Është jashtëzakonisht e rëndësishme që në këto zgjedhje ta bëjmë një fitore historike jo vetëm në kuptim të daljes masive të qytetarëve të Republikës së Kosovës në zgjedhje, por sidomos të daljes së grave dhe vajzave në zgjedhje. Ndonëse ne kemi një mbështetje të madhe, nëse e shohim në përgjithësi ende një përqindje e vogël e grave dhe vajzave del në zgjedhje. Prandaj ju kisha lutur juve e përmes juve të gjithë ato që ju i njihni. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që t`i inkurajoni ato në mënyrë që të dalin masivisht në zgjedhje, t'i mbërrijmë këto 500 mijë zemra e që gjysma duhet të jenë vajza dhe gra”, ka thënë Haxhiu.

Tubimet me gra e vajza, Vetëvendosje i ka nisur të martën në Podujevë derisa të enjten do t’i vazhdojë në Gjilan.