Të pakta janë rezultatet e Qeverisë së Kosovës në sektorin e shëndetësisë. Premtimet për Sigurime Shëndetësore e Sistem Informativ as që janë përsëritur vitin që shkoi. Pati rritje rekorde të buxhetit, por kjo nuk ka reflektuar në rritje të cilësisë në shërbime shëndetësore. Lista e mungesave në këtë sektor është e gjatë
Një pjesë e premtimeve elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për shëndetësi gjatë vitit 2023 ishin thuajse të harruara.
“Funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore publike është detyrë e jona për të cilën zotohem para jush se do të përmbushet”, është fjali e shkëputur nga programi i LVV-së, me të cilin kjo parti kërkoi besimin e qytetarëve më 2021 dhe siguroi më shumë se 50 për qind të votave.
Por më 2023, në vitin e tretë të qeverisjes, Ministria e Shëndetësisë nuk bëri asnjë lëvizje domethënëse për realizimin e tyre. Me veprimet e deritashme, funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore vështirë se mund të kryhet në këtë mandat.
E një projekti të tillë do të duhej t’i paraprinte Sistemi Informativ Shëndetësor. As ky sistem nuk arriti të shtrihet në qendrat publike shëndetësore në mënyrë të plotë.
Reforma e premtuar në shëndetësi nuk nisi as në vitin 2023.
Ministria e Shëndetësisë tentoi që të stabilizojë institucionin më të madh publik shëndetësor, Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), të paktën me menaxhment.
Brenda vitit që shkoi dha dorëheqje ushtruesja e detyrës së drejtorit të këtij institucioni Pranvera Raçi, e cila u pasua nga Narqize Aliu e që më vonë përmes konkursit publik, drejtimin e mori Elvir Azizi.
SHSKUK-ja edhe nën menaxhimin e Azizit nuk dha shenja stabiliteti.
Ky institucion pati buxhetin më të madh ndonjëherë për barna e materiale shpenzuese, mbi 35 milionë euro, por sërish munguan produktet bazike siç janë shiringat e katetrat. Mungesa gjatë tërë vitit pati në disa lloje të barnave me kancer.
U reduktua një pjesë e listave të pritjes, por sërish ka shërbime për të cilat duhet pritje disa vjet. Shembull ilustrativ është Klinika e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare (QKUK).
Buxheti u rrit edhe për investime kapitale. Por menaxhmenti, edhe i Ministrisë së Shëndetësisë, e edhe i SHSKUK-së dështuan që të shpenzojnë paratë që patën në dispozicion. Vjet i patën 35 milionë euro për investime kapitale apo 11 milionë më shumë se në vitin 2022.
Ministria e Shëndetësisë nuk arriti të shpenzonte më shumë se 10 për qind të buxhetit për investime kapitale. As SHSKUK-ja nuk arriti ta shpenzonte të gjithë buxhetin, e si pasojë paratë shkuan në suficit.
E punët në objektet e shumta, që ka vite që planifikohen të përfundohen, nuk rinisën.
Objekti i Spitalit të Ferizajt e objekti i Emergjencës së QKUK-së nuk dihet se kur do të përfundojnë.
Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë nisi rinovimin e disa klinikave. Ndonëse investime të domosdoshme, kjo as për afër nuk është reforma e premtuar.
Reforma në këtë sistem nuk mund të bëhet pa nxjerrjen e ligjeve të reja e amendamentimin e atyre ekzistuese.
Ministria e Shëndetësisë nxori ligjin për nivelimin e çmimit të barnave, por ai ende nuk ka filluar të zbatohet.
Ndërkaq dështoi në amendamentimin e ligjeve kyç, siç janë Ligji për Shëndetësi e ai për Sigurime Shëndetësore. Të dyja këto ligje ishte planifikuar të amendamentoheshin qysh më 2016.