Arbëri

Veterniku ende në pritje të shkollës

Kenz Kastrati po u përgjigjet pyetjeve të mësueses për t’u regjistruar në shkollën fillore, pasi sivjet ai do të bëhet nxënës i klasës së parë.

Gjatë kohës që ai bën vizatimet dhe po bëhet regjistrimi i tij nga ana e mësimdhënëses së shkollës “Hasan Prishtina”, nëna e tij e ka hallin se si do ta sjellë djalin e saj çdo ditë nga lagjja ku jetojnë.

Për shkak të mungesës së një shkollë fillore në Veternik, nga shtatori atij i duhet të udhëtojë rreth 3 kilometra që t’i ndjekë mësimet.

“Transportin duhet ta sigurojmë përmes autobusit që është për bartjen e fëmijëve ose ta sjellim edhe vet, por dikush duhet ta lë punën që fëmija të shkojë në shkollë. Zgjidhja e vetme është autobusi. Është shumë e vështirë për fëmijë, ardhja është më e lehtë, por shkuarja në shtëpi është më e vështirë se fëmija lodhet nga orët mësimore dhe mund ta mundojë edhe më lehtë autobusi. Pra ka vështirësi të shumta. Do kishte qenë e udhës të ndërtohet një shkollë në “Veternik” dhe t’iu lehtësohet edhe prindërve por më së shumti fëmijëve të cilët e kanë shumë të vështirë ardhjen deri këtu”, tregon nëna e Kenzit, Avdije Kastrati.

Përveç Kenzit, ka edhe shumë fëmijë të tjerë nga Lagjja Veternik dhe “Qendresa” që janë regjistruar në afatin e parë të pranimit, që ka përfunduar më 6 qershor.

“Shkolla jonë gjendet në Ulpianë dhe ne i kemi të zonuara lagjet prej të cilave fëmijët mund të frekuentojnë shkollën tonë. Bashkangjitur me lagjen Ulpiana e frekuentojnë edhe fëmijët e lagjes “Qëndresa” dhe “Veternik” në mungesë të shkollës në atë lagje. Kemi frekuentim të madh dhe sipas statistikave të deri tanishme janë dikur rreth 30 për qind, supozoj ndoshta edhe më shumë”, thotë Valona Gashi, mësimdhënëse e klasës përgatitore në “Hasan Prishtinë”.

Me gjithë kërkesat e shumta, në këtë lagje ende mungon një objekt shkollor.

Sali Muriqi, i cili është edhe anëtar i kryesisë së bordit të Lagjes Veternik, tregon se kanë bërë kërkesa të shumta për ndërtimin e një shkolle fillore, mirëpo nuk ka pasur asnjëherë rezultat.

“Unë 72 vjet i kam dhe më duhet të paguaj taksi dhe të shkojë deri në shkollën “Hasan Prishtina”, përafërsisht i ka 3 kilometra dhe unë duhet të pres në një kafene për 2 apo 3 orë deri e përfundon djali. Është një ngarkesë e madhe psikike, por duhet të bëhet çmos të mos e lëmë djalin me kombi. Paguaj taksin 3 euro andej e 3 euro këndej. Nuk kemi asnjë transport as asgjë”, tha Muriqi.

Vështirësi kanë edhe nxënës të tjerë. Klea Mjeku, e cila vijon mësimin në klasën e shtatë në shkollën “Dardania”, tregon për vështirësitë që hasin gjatë shkuarjes në shkollë.

“I kam disa vështirësi kur shkoj në shkollë sepse ka qenë endacak dhe shpesh herë nuk ka autobusë që ikin. Që 13 vjet më ka dërguar gjyshi çdo ditë dhe më ka sjellë në shtëpi përsëri”, tregon Klea.

Sipas ligjit mbi arsimin, Komuna e Prishtinës organizon transportin pa pagesë vetëm për fëmijët që jetojnë mbi 4 kilometra larg shkollës.

Pavarësisht premtimit, Shpend Ahmeti nuk ka arritur të bëjë ndërtimin e pesë shkollave në Prishtinë, duke përfshirë këtu edhe një shkollë në Veternik. Sipas përgjigjes së Drejtorisë së Arsimit, shkolla e Veternikut është ende në procedura të prokurimit.