Arbëri

Veterani i UÇK-së konteston deklaratën e dëshmitares paraprake

Dëshmitari Ymer Gashi, veteran i UÇK-së, gjatë seancës ka treguar se si më 1 korrik të vitit 1998, në shtëpinë e burrit të hallës së tij, Sejdi Përteshi, ka kuptuar që Haxhi Përteshi ishte marrë nga disa persona dhe më pas është gjetur i vdekur. Ai ka thënë se anëtarët e familjes Përteshi i kanë treguar se si këta persona e kanë marrë Haxhiun, duke ia vendosur një thes në kokë, nën kërcënimin që të tjerët të mos dalin prej dhomës

Shqyrtimi kryesor në rigjykimin ndaj Remzi Shalës, i cili nga Prokuroria Speciale e Kosovës akuzohet për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit, ka vazhduar të enjten në Gjykatën Themelore të Prizrenit, me dëgjimin e dëshmitarit, Ymer Gashi, veterani i Ushtrisë Çlirimtare (UÇK).

Gashi gjatë seancës ka treguar se si më 1 korrik të vitit 1998, në shtëpinë e burrit të hallës së tij, Sejdi Përteshi, ka kuptuar që Haxhi Përteshi ishte marrë nga disa persona dhe më pas është gjetur i vdekur.

Ai ka thënë se anëtarët e familjes Përteshi i kanë treguar se si këta persona e kanë marrë Haxhiun, duke ia vendosur një thes në kokë, nën kërcënimin që të tjerët të mos dalin prej dhomës.

Para trupit gjykues, Gashi ka thënë po ashtu se me vetëdëshirë ka ardhur për të dëshmuar dhe se është cytur që ta bëjë këtë, pas shkëmbimeve të porosive në rrjetet sociale me dëshmitaren paraprake, Ganimete Zyrapi, dëshminë e së cilës e ka kontestuar.

“Kam kërkuar prej Ganimetes që ta përmend një person që thotë që e ka parë Remzi Shalën në shtëpinë e Ganimetes ose të Nuhisë, ku disa herë i ka përmendur vetëm njerëzit e vdekur”, ka thënë Gashi.

Në seancat e shkuara, Ganimete Zyrapi pati deklaruar se duke shërbyer çaj në shtëpinë e burrit të saj, që vizitohej shpesh nga pjesëtarët e UÇK-së, ka dëgjuar se si Remzi Shala, edhe në prani të personave të tjerë, është shprehur se e “kanë hequr qafe edhe njërin”, respektivisht Haxhi Përteshin.

Haxhi Gecaj, prokuror special, e ka pyetur dëshmitarin se nga e di që gjatë kohës së luftës i akuzuari Remzi Shala nuk ishte në familjen Zyrapi.

“Çdo ushtar i UÇK-së nuk ka guxuar të lëvizë prej një shtabi në shtabin tjetër pa e nënshkruar një dokument komandanti i atij ushtarit dhe pa u njoftuar komanda se ku do të shkojë ushtari”, ka theksuar dëshmitari.

Në pyetjen e bërë nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar se si e kujton Haxhi Përteshin, dëshmitari Gashi ka thënë se ai ishte burrë i mirë, njeri familjar dhe se për të apo për familjen e tij nuk ka dëgjuar fjalë të këqija. Njëkohësisht ka theksuar se ka respekt edhe për Remzi Shalën dhe se atë e ka takuar në raste të ndryshme.

E Asdren Hoxha, përfaqësues i palës së dëmtuar, e ka pyetur dëshmitarin edhe nëse ka qenë në dijeni që Remzi Shala akuzohet lidhur me privimin nga liria të Haxhi Përteshit.

“Deri në 2015 ose 2016 nuk më kujtohet saktë nuk kam dëgjuar as nga familja Përteshi, as nga askush që Remzi Shala është duke u akuzuar për marrjen e Haxhi Përteshit. Prej aty e kam ditur”, është përgjigjur dëshmitari Gashi.

Seanca e radhës lidhur me rastin është caktuar që të mbahet më 27 prill.

Gjykata Themelore e Prizrenit, në korrik të vitit 2019 ka njoftuar shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj Remzi Shalës, për bashkëkryerjen e veprës penale: krime lufte kundër popullsisë civile, duke e dënuar me 14 vjet burgim.

Mirëpo, pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin, duke e zbritur dënimin ndaj Shalës në 10 vjet burgim. Ndërkaq Gjykata Supreme, në maj të 2020-s, e ktheu rastin në rigjykim në shkallën e parë.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës e akuzon Remzi Shalën se në qershorin e vitit 1998, bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, e kanë privuar nga jeta Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.