Viti i ri shkollor nuk ka nisur sipas planifikimeve. Në Prishtinë, në vetëm dy prej pesë shkollave të përcaktuara nisi mësimi tërëditor, e në një tjetër nuk nisi fare për shkak të mospërfundimit me kohë të rinovimit të objektit. Pati edhe thumbime mes Ministrisë së Arsimit e Komunës së Prishtinës
Mësimi tërëditor në kryeqytet nuk ka nisur sipas planit të Komunës së Prishtinës. Të hënën vetëm në dy prej pesë shkollave të përzgjedhura nisi mësimi gjithëditor.
Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se tri shkolla nuk ishin të gatshme për të nisur punën me orar të gjatë të mësimit porse, sipas saj, kjo do të bëhet gjatë muajit shtator.
“Organizimi në pesë shkollat ka qenë i ndarë në dy faza, është ndarë në shkollat të cilat kanë qenë më gati me kushtet, jemi duke investuar krejt në finale edhe në tri shkollat e tjera. Brenda shtatorit fillon në pesë shkollat”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, foli për benefitet që do të kenë nxënësit në shkollat ku do të vijohet me mësim me orar të zgjatur.
“Përveç mësimit kurrikular do të kenë mundësi tash edhe aktivitete ekstrakurrikulare që do ta ngrenë nivelin e mësimit e edhe shëndetit për fëmijët tanë e të njëjtën kohë edhe kushte më të mira që do t’i ndihmojnë edhe ekonomisë familjare për arsye se tash nxënësit do të jenë në një periudhë kohore më të gjatë në shkollë”, ka thënë Rama.
Në fakt fillimi i vitit shkollor nuk i ka gjetur të gjithë nxënësit nëpër banka.
Shkolla fillore “Pavarësia” në Prishtinë ka njoftuar se mësimi do të nisë me një javë vonesë, meqë nuk kanë përfunduar punimet në objekt.
E në shkollën “Xhevdet Doda” në kryeqytet u organizua një protestë për shkak të ndryshimit të lokacionit.
Drejtoresha Lushaku-Sadriu ka deklaruar se Komuna ka bërë më të mirën për këtë shkollë, derisa bashkë me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, thumbuan njëra-tjetrën në distancë.
Nagavci mori meritat për nisjen e mësimit gjithëditor.
“Riorganizimi i mësimit në objektet shkollore në Komunën e Prishtinës është një proces që e kemi filluar në vitin 2015, kur unë kam qenë drejtoreshë e Arsimit në atë kohë. Jam e lumtur dhe uroj që të ketë suksese. Më vjen keq që janë humbur gjithë këto vite prej vitit 2015, pasi tani do të ishte më e lehtë dhe më shumë nxënës të përfshirë në këtë proces”, ka thënë ajo.
E lidhur me shkollën “Xhevdet Doda” ka thënë se nuk ka pasur konsultime mes komunës dhe komunitetit të shkollës.
“Kërkesa dhe insistimi im ka qenë që komuna të përfshijë në të gjitha diskutimet dhe planifikimet, përfaqësuesit e këshillit të prindërve dhe të shkollave, në mënyrë që me kohë të ndahet të gjitha informatat dhe të bëhen pjesë e planifikimit. Mendoj se s’ka qenë një vendim i lehtë për shkak se ‘Xhevdet Doda’ është një shkollë që ka një identitet të vetin”, ka deklaruar Nagavci.
Ndërkohë Lushaku-Sadriu tha se protesta në shkollë nuk ka motive të mirëqena. Sipas saj, mund të ketë motive politike.
“Interesi është që fëmijët prej klasës së parë deri në të pestën të kenë mësim gjithëditor. Ndërtesa, konkretisht te gjimnazi Xhevdet Doda, është dashur për dy shkolla fillore “Xhemal Mustafa” dhe “Faik Konica” e edhe 30 vjet po të prisnim të mos e bënim mësimin tërëditor, pa ndërtesën e “Xhevdet Dodës” nuk do të mund ta arrinim këtë... Shkollat e mesme duhet të jenë më liberale...Shikojeni një herë gjimnazin “Xhevdet Doda” është shndërruar në gjimnazin më modern në Kosovë... E besoj që s’ka asnjë arsye racionale për të çuar te ndonjë protestë, përveçse organizime politike të cilat absolutisht nuk janë të rëndësishme në këtë moment”, është shprehur Lushaku.
Nagavci po ashtu ka thënë se si ministri nuk kanë pranuar ankesa apo kërkesa specifike nga komunat.
“Jemi në kontakte të vazhdueshme me komunat për të gjitha çështjet në mënyrë që fillimi i vitit të ri shkollor të jetë i suksesshëm. Deri tani s’kemi ndonjë kërkesë apo shqetësim nga komunat, gjatë ditëve në vijim presim një raport nga komunat për gjithçka. Aty përfshihet furnizimi me tekstet, fillimi i vitit të ri shkollor dhe numri i nxënësve”, ka shtuar Nagavci.
Ndërkohë vitin e ri shkollor e kanë uruar liderë institucionalë e partiakë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar rëndësinë e sistemit arsimor për të gjithë shoqërinë.
“Ky gëzim, ky entuziazëm dhe kjo energji që ndihet në çdo kënd të shkollës na rikujton edhe një herë se shkolla është vendi ku formësohen ëndrrat, zhvillohen talentet dhe ngrihen themelet për një të ardhme më të mirë…Shkolla mbetet investimi më i rëndësishëm për çdo shoqëri që e do përparimin dhe zhvillimin. Aty ku arsimi cilësor dhe përkushtimi janë prioritet, aty rriten gjeneratat që do të ndërtojnë të ardhmen e shëndoshë e përparimtare të shtetit tonë”, thuhet në urimin e presidentes Osmani për vitin e ri shkollor.
Vitin e ri shkollor, sipas Ministrisë së Arsimit, e kanë nisur mbi 300.000 nxënës.