Arbëri

Vetëm katër gra kandidate për kryetare të shtatë komunave kryesore

Pak gra janë prezantuar nga partitë politike për garën për kryetarë komunash në zgjedhjet të cilat do të mbahen këtë tetor.

Pothuajse si gjithmonë, në garë nga të gjitha partitë prin numri i kandidatëve meshkuj për të marrë mandatin e të parit në udhëheqjen e komunave.

Bëhet fjalë për komunat si Prishtina, Prizreni, Peja, Gjakova, Gjilani Ferizaj dhe Mitrovica.

Lëvizja Vetëvendosje, në garën komunale, në shtatë komunat më të mëdha ka vetëm Mimoza Kusari-Lilën si kandidate për kryetare të Gjakovës.

Në të njëjtën pozitë është edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e cila ka kandiduar Sibel Halimin për të parën e Komunës së Ferizajt.

Partia Demokratike e Kosovës ka dy kandidate për kryetare në zgjedhjet komunale në këto komuna. Është Arbnesha Kuqi për kryetare të Gjakovës dhe Leonora Morina-Bunjaku kandidate për të parën e Gjilanit.

Ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka asnjë kandidate grua për kryetare të këtyre shtatë komunave.

Në kryeqytet, AAK-ja ka kandiduar Daut Haradinajn, LDK-ja Përparim Ramën, PDK-ja Uran Ismailin dhe VV-ja Arben Vitinë.

Në Prizren, VV-ja ka kandidat edhe për një mandat kryetarin aktual Mytaher Haskuka, LDK-ja ka kandiduar Anton Qunin, PDK-ja Shaqir Totajn dhe AAK-ja Lulzim Kabashin.

Komuna e Pejës kandidat për kryetar ka Gazmend Agushollin nga VV-ja, Gazmend Muhaxherin nga LDK-ja, Astrit Ademajn nga PDK-ja dhe Rrustem Berishën nga AAK-ja.

E në garën për të parin e Gjakovës, edhe për një mandat do të garojë Ardian Gjini i AAK-së, ish-kryetarja e kësaj komune Mimoza Kusari-Lila si kandidate e VV-së, Teki Shala i LDK-së dhe Arbnesha Kuqi e PDK-së.

Listës së garës për kryetar të Gjilanit nga LDK-ja do t’i prijë kryetari aktual, Lutfi Haziri i cili synon edhe një mandat tjetër. VV-ja garon me Alban Hysenin, PDK-ja me Leonora Morina-Bunjakun dhe AAK-ja me Nazim Gagicën.

Në Ferizaj, garës për të parin e Komunës i ka hyrë Agim Aliu i PDK-së i cili synon edhe një mandat tjetër, Arben Halili i AAK-së, Sibel Halimi e LDK-së dhe Valon Ramadani i Lëvizjes Vetëvendosje.

Në Mitrovicë Agim Bahtiri i VV-së garon edhe për një mandat për të parin e kësaj komune, nga PDK-ja garon Bedri Hamza, nga LDK-ja Armend Agolli ndërkaq AAK-ja nuk ka prezantuar kandidat për këtë komunë.

Në konferencën e mbajtur të hënën ku i ka prezantuar të gjithë kandidatët për kryetarë komunash, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se Arta Ahmeti-Xhylani si kandidatja e vetme grua për këtë pozitë, është kandiduar për kryetare të Drenasit.

Mungesën e grave në këtë garë, ai e ka arsyetuar se ka më shumë gra në listat për asamble.

Zgjedhje komunale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor të këtij viti. Paritë politike kanë pasur të drejtë të aplikojnë për pjesëmarrje në këto zgjedhje deri të hënën e 16 gushtit.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes një reagimi për media ka thënë se është shqetësuese që nga kandidatët e zyrtarizuar deri më tani, gratë mbesin shumë pak të përfshira në listat zgjedhore të partive politike.

RrGK ka thënë se përzgjedhja e deritanishme e shumicës së kandidatëve burra për kryetar/e të komunave është jashtëzakonisht problematike.  Sipas tyre, kjo praktikë e ndjekur nga partitë politike është duke pamundësuar përfshirjen e grave në jetën publike dhe ndërtimin e një shoqërie më të barabartë.

“RrGK ua rikujton partive politike të Kosovës se neni 14 i Ligjit për Barazi Gjinore (LBGJ) i obligon ato që të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të burrave dhe grave në organet dhe trupat e partive, në pajtim me dispozitat e nenit 6 të këtij ligji - i cili përcakton qartë se në ato raste kur ekzistojnë pabarazitë, duhet të merren masa të veçanta të përkohshme me qëllim të përshpejtimit të realizimit të barazisë faktike ndërmjet grave dhe burrave në ato fusha ku ekzistojnë pabarazi. Prandaj, është e domosdoshme që të respektohet ky ligj dhe të krijohen kushtet që gratë të kenë mundësi që në mënyrë të barabartë me burrat të marrin pjesë në proceset vendimmarrëse”, thuhet në njoftim.