Dy orë pas hapjes së qendrës së votimit në Komunën e Zubin-Potokut, për shkarkimin "pro" ose "kundër" të kryetarit të kësaj komune, Izmir Zeqiri, kanë votuar vetëm dy qytetarë.
Qytetarja e dytë që ka shfrytëzuar të drejtën e votës nga komuniteti serb ka thënë se është kundër shkarkimit të kryetarit të kësaj komune. Sipas saj, kryetari është duke bërë punë të mirë.
"Jam kundër shkarkimit të kryetarit...Po (ka punuar mirë). Duhet të shfrytëzojnë votën të gjithë", tha ajo./KSP
Dy votues kanë hedhur votat në Çabër në këtë komunë.
Asnjë votë në Soçanicë të Leposaviqit
Fatmir Cacaj, kryesues në qendrën e votimit në Soçanicë, ka deklaruar se edhe pas tre orësh që nga hapja e votimit, asnjë person nuk ka votuar për apo kundër shkarkimit të kryetarit të komunës së Leposaviqit.
Ai ka shtuar se kamerat janë funksionale dhe gjithçka është në rregull deri tani.
“Vonesa nuk ka pasur, përgatitjet i kemi bërë të gjitha, votimi është hapur në orën 07:00 siç parashihet edhe me ligj, kamerat janë funksionale, gjithçka është në rregull dhe po vazhdojmë po presim. Në këtë qendër janë 5 vendvotime dhe janë afërsisht 2.800 votues. Deri më tani nuk kemi ndonjë votues, po presim në vazhdim”, ka thënë ai për KTV-në.
Votimi në këtë fshat po mbahet te ish-objekti i stacionit policor, që tashmë është në pronësi të komunës.
