Arbëri

Vetëm AAK-ja ka zyrtarizuar kandidatët e saj për kryetar në katër komunat e rajonit të Pejës

Megjithëse kanë mbetur edhe tre muaj deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale, jo të gjitha subjektet e mëdha politike në katër komunat e rajonit të Pejës, kanë përzgjedhur kandidatët që do të garojnë për kryetar të komunës së Pejës, Istogut, Klinës dhe Deçanit. Deri sot, vetëm AAK-ja ka zyrtarizuar emrat e kandidatëve për kryetar në këto katër komuna.

Në Pejë, AAK-ja do t’i hyjë garës për të parin e komunës me ish-ministrin e Mbrojtjes, Rrustem Berisha. Në Istog votën për kryetar të komunës si kandidat i AAK-së do ta kërkojë deputeti Bekë Berisha. Në Klinë, AAK-ja do të kandidojë me kryetarin aktual të Klinës, Zenun Elezaj, njëjtë sikurse edhe në Deçan me kryetarin aktual të kësaj Komunë, Bashkim Ramosaj.

Derisa LDK-ja vetëm për kryetar të Pejës e ka kandidatin e saj, Gazmend Muhaxheri, i cili si kryetar në dy mandatet e fundit në këtë komunë, pretendon në zgjedhjet e tetorit edhe mandatin e tretë me radhë si i pari i Pejës. Kundërkanditat në këtë komunë, përveç Rrustem Berishës së AAK-së, zyrtarisht Muhaxheri ende nuk ka asnjë tjetër.

Partneri i LDK-së në qeverisjen e Pejës në dy mandatet e fundit, ka dy propozime në listën e saj si degë, por caktuar ende nuk është asnjëri. “I kemi propozuar dy dhe tash mbetet që kryesia në qendër ta përzgjedh. Besoj brenda dy jave do të dihet cili prej tyre do të caktohet kandidat i PDK-së për kryetar të Pejës”, i tha KOHËS të hënën nënkryetari i degës së PDK-së në Pejë, Muhamet Haliti. Sipas tij, kandidatët e propozuar nga dega për kryetar të Pejës janë Rajan Arapi, drejtor aktual i Urbanizmit në komunën e Pejës, si dhe Astrit Ademaj, sekretar i përgjithshëm i Universitetit Publik në Pejë “Haxhi Zeka”.

Ndërsa subjekti politik Lëvizja VETËVENDOSJE, siç tha nënkryetari i qendrës në Pejë, Taulant Kelmendi, ende gjendet në proces të zgjedhjes së kandidatit. Në Pejë, LVV-ja do ta ketë vetëm një propozim që do i dërgohet këshillit qendror të LVV-së për miratim, stomatologun Gazmend Agusholli. Sipas Kelmendit, pritet që brenda dy jave të vendos këshilli qendror për kandidatin e propozuar nga dega e LVV-së në Pejë për kryetar të Pejës. Në proces të zgjedhjes së kandidatit për kryetar komune, LVV gjendet edhe në tri komunat tjera të këtij rajoni dhe sipas zyrtarëve të degëve të LVV-së në këto tri komuna, pritet që deri në mesin e këtij muajit t’i kenë zyrtarisht emrat e kandidatëve për kryetar komune.

Sikurse LVV edhe LDK-ja ende nuk ka ndonjë kandidat të caktuar për kryetar të komunës në Istog, Klinë e Deçan. Dega e LDK-së në Istog i ka propozuar Kryesisë së LDK-së pesë kandidatë për kryetar të komunës: Besart Dreshaj, Besim Mulaj, Ilir Ferati, Shkëmb Manaj dhe Zenel Shatri. Kurse për kryetar të Klinës, siç i tha KOHËS kryetar i degës së LDK-së në Klinë, Fadil Gashi, janë duke u shqyrtuar aktualisht të gjitha mundësitë, por zyrtarisht ende nuk kanë asnjë kandidat të caktuar, njëjtë sikurse edhe në komunën e Deçanit.

Për kryetar të komunës në Istog, Klinë e Deçan as PDK-ja ende nuk ka asnjë kandidat, madje as të propozuar kryesisë qendrore. “Ende nuk kemi kandidat. Me siguri që do ta kemi, por kemi qenë në pritje që të përfundojë konventa e zgjedhjes së PDK-së dhe kryetarit të ri të partisë dhe tash ndërkohë do të emërojmë dike dhe do t’ia dërgojmë partisë për shqyrtim dhe miratim, por për momentin nuk kemin propozime si degë për kryetar të komunës”, i tha KOHËS anëtari i këshillit drejtues të PDK-së në Istog, Mujë Osmanaj. Njëjtë si në Istog, edhe degët e PDK-së në Klinë e Deçan, siç thanë nënkryetari i kësaj partie në Klinë, Enver Berisha dhe anëtari i kryesisë në Deçan, Mon Selmonaj, ende nuk kanë zyrtarisht asnjë kandidat për kryetar komune. “Kemi pritur të përfundojë konventa zgjedhore e PDK-së dhe tash do të nisim me përzgjedhjen e kandidatëve që do ti propozohen kryesisë së partisë për miratim”, thanë ata.

Sipas vendimit të presidentes Vjosa Osmani zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.