Arbëri

Vetëm 76 asistentë për rreth 4 mijë nxënës me nevoja të veçanta

Andi Salihu po bëhej gati të hyjë në shkollën “Eqrem Qabej” në Prishtinë, aty ku i ndjek mësimet. Si çdo ditë tjetër, atë e sjell dhe e merr me veturë prindi i tij.

Për këtë nxënës të klasës së 12-të, që vuan nga distrofia muskulore, viti shkollor ka nisur me probleme, meqë nuk ka asistent për ta ndihmuar gjatë orëve mësimore. Deri vitin e kaluar atë e kanë ndihmuar asistentët vullnetarë, por këtë vit më nuk ka.

Edhe nëna e Andit është e shqetësuar që djali i saj nuk ka asistent në shkollë për çka i fton institucionet t’ia sigurojnë sa më parë.

Asamblistja e Vetëvendosjes në Prishtinë, Leonora Shabani-Bajraktari, ka disa vite që mbledh studentë vullnetarë për të asistuar nga 6 muaj tek nxënësit me nevoja të veçanta. Viteve të kaluara i kishte siguruar asistent edhe Andit.

Përmes një përgjigjeje me shkrim, Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se për këtë vit kishte planifikuar t’i punësojë 100 asistentë, por kërkesa e tyre nuk është përfshirë në Ligjin për buxhet.

Sipas MASH-it, në arsimin parauniversitar janë 4.252 nxënës me nevoja të veçanta ku prej tyre 3.903 mësojnë në shkolla të rregullta dhe 349 në qendra burimore. Megjithatë, e ka konfirmuar se në Kosovë janë vetëm 76 asistentë të punësuar që merren me këta fëmijë.

Ministria e Financave dhe Qeveria nuk kanë kthyer përgjigje përse nuk janë paraparë mjete për angazhimin e këtyre asistentëve.

Vitin e kaluar, UNICEF-i kishte publikuar një raport sipas të cilit, rreth 43 fëmijë me nevoja të veçanta në të gjithë Kosovën duhet të jenë në shkollë. Mirëpo, sipas raportit, vetëm 5.300 prej tyre ndjekin mësim në institucione shkollore, kurse pjesa tjetër janë jashtë këtij procesi.