Përmes një njoftimi për media të Partisë Demokratike të Kosovës, është bërë me dije se kryetari i saj, Kadri Veseli, ka liruar nga detyra të gjithë të emëruarit politikë nga kjo parti që janë të akuzuar për korrupsion dhe nepotizëm.
E ka thënë këtë edhe në një konferencë për media, duke shtuar se ka larguar edhe ata që kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Kësisoj, me këtë vendim sot janë liruar nga detyra ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, zëvendësministri i FSK-së, Agim Çeku dhe këshilltari i Veselit, Nijazi Kryeziu, të cilët janë në procese gjyqësore.
“Në fillim të kësaj jave, unë jam zotuar se do të angazhohem fuqishëm në luftën kundër korrupsionit, nepotizmit dhe dukurive të neveritshme të abuzimit. Këtë po e presin qytetarët nga ne, sepse ata janë të ngopur me fjalë dhe duan të shohin veprime konkrete. Nuk ka opsion tjetër përveç se të veprojmë. Dhe, ne po vendosim një standard të ri të etikës. Së pari po fillojmë me veten, e pastaj këtë standard do ta shtrijmë në çdo segment”, ka thënë Veseli, derisa pa përmendur emra ka thënë se ka marrë vendim që të emëruarit politikë nga radhët e PDK-së në institucionet publike të Kosovës, të cilët kanë aktakuza që ndërlidhen me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion, ose nepotizëm, t’i lirojnë funksionet menjëherë.
Kreu i PDK-së po ashtu ka konfirmuar se partia që drejton nuk do të kandidojë e as nuk do të mbështesë kandidatët e asnjë subjekti politik që kanë aktakuza të konfirmuara.
Veseli po ashtu ka liruar nga detyra edhe të gjithë të zgjedhurit brenda strukturave drejtuese të PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara dhe ky pezullim i funksioneve të tyre siç tha ai, vlen deri në aktgjykime.