Arbëri

Veseli: Kjo që po ndodh në PDK, shembull për kundërshtarët politikë

Pa asnjë kundërkandidat, për herë të dytë me radhë, Kadri Veseli është rizgjedhur kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Kështu, Veseli është zgjedhur i pari i partisë njëzëri, në konventën e nëntë zgjedhore të kësaj partie, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Veseli ka theksuar se kjo që po ndodh në PDK, është shembull edhe për kundërshtarët politikë.

Ndër të tjera, Veseli ka thënë se askush dhe asgjë nuk do t’i ndalë në rrugëtimin e tyre për të dërguar në vend amanetin e atyre që dhanë jetën për liri.

Në hapje të Konventës së nëntë zgjedhore, ai ka thënë se PDK-ja është gjithmonë e përgatitur, e reformuar e me energji të reja për t’u shërbyer qytetarëve të Kosovës.

Derisa, Hajredin Kuçi, teksa ka propozuar kandidaturën e Veselit, tha se ai është personi i vetëm që meriton ta mbajë këtë post.

Në kuadër të Konventës së nëntë të kësaj partie, janë zgjedhur edhe anëtarët e kryesisë së punës.

Kadri Veseli ishte zgjedhur për herë të parë kryetar i PDK-së në maj të 2016-s, gjithashtu pa kundërkandidat.

Zgjedhja e Veselit kishte ardhur pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i kreut të PDK-së, pasi ky i fundit ishte zgjedhur president.