Arbëri

Veseli i drejtohet Speciales, kërkon gjykim në kohë të arsyeshme

Kadri Veseli - Speciale

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, të hënën i është drejtuar Gjykatës Speciale, ku ka kërkuar gjykim në kohë të arsyeshme. 

Ai ka deklaruar se dikush duhet ta marrë përgjegjësinë e vendimmarrjes që procesi gjyqësor ndaj tij dhe të akuzuarve të tjerë të jetë i drejtë.

“Që nga dita e parë kur jemi futur në këtë sallë, Prokuroria ka kërkuar në mënyrë mjaft transparente 545 orë. Prej ditës së parë faktikisht secili e dinim se 545 orë me procesin që do të zhvillonin në këtë sallë, do të kalonin edhe tri vjet, e 4 vjet e nuk do të mund të përfundonte prokuroria, edhe po të mos bëhej asnjë pyetje, as mbrojtja e as ju si trup gjykues. Ajo që dua të them trup gjykues është kjo. Besoj se është interes publikut, jo vetëm tonin si të akuzuar. Se dikush duhet të marrë përgjegjësi të vendimmarrjes që ky proces para popullit të Kosovës të jetë jo vetëm fer, jo vetëm transparent, jo vetëm të respektoj procedurat e kushtetutën e ligjet e Republikës së Kosovës, por edhe të ruajë dhe garantojë një gjykim të drejtë e në kohë të arsyeshme”, është shprehur Veseli.

Ai ka thënë se respektimi i këtyre parimeve nuk ka të bëjë vetëm me fatin e tyre si të akuzuar. 

“Unë si njëri nga të akuzuarit i nderuar trup gjyqësor, frikësohem se nëse nuk respektohen këto parime, s’ka të bëjë vetëm me fantin tonë individual. Ka të bëjë me një mesazh që do të dërgojmë te populli i Kosovës që e ka krijuar me vetëdije të plotë, por edhe me besim, këtë Gjykatë, te ju si partnerë tanë ndërkombëtarë dhe nuk duhet asnjë ,mënyrë t’i cenohet ky besim që e ka shtetin ligjor e drejtësinë ndërkombëtare. 
 

Në seancën e mbajtur të hënën avokatët e të akuzuarve në rastin ku ish-udhëheqësit e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit janë ankuar për stërzgjatje të gjykimit për faj të prokurorisë. 

Mbrojtësi ish-presidentit Hashim Thaçi, avokati Luka Mishetiq, tha se me ritmin që e ka zhvilluar prokuroria marrjen në pyetje të dëshmitarëve nuk do të përmbushen planifikimet që dëshmitarët e saj t’i përfundojnë dëshmitë deri në prill 2025. Në konferencën për ecurinë e çështjes të mbajtur të hënën, e që është propozuar të mbahet nga mbrojtja, prokuroria ka bërë të ditur se e ka reduktuar numrin e dëshmitarëve. 

Prokurori Mattheë Halling ka theksuar se numri total i dëshmitarëve që pritet të merren në pyetje është 104 dhe se që nga dhënia e urdhrave të fundit për përshpejtim të procesit nga gjykata, e ka përshpejtuar procesin e paraqitjes së dëshmive të dëshmitarëve të saj.

Pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, u arrestuan më 4 e 5 nëntor 2020. Ata janë deklaruar të pafajshëm në akuzat e prokurorisë. 

Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999. Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre.

Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën kryesore e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civët.