Reshjet e fundit të shiut shkaktuan vërshime në disa komuna të Kosovës. Më e prekura prej tyre është ajo Vushtrrisë, ku dy ditë më parë është shpallur gjendje emergjente. Uji nga dy lumenjtë, Tërstena dhe Podranqa, ka depërtuar në bodrumet e shtëpive dhe nëpër kultura bujqësore, si dhe në bodrumin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Vushtrri. Kryetari i Komunës thotë se ende nuk është bërë kalkulimi i dëmit të shkaktuar
Bodrumi i shtëpisë së Njazi Gërgurit nga Vushtrria u mbush me ujë nga vërshimet e dy ditëve të fundit në këtë komunë. Uji që depërtoi brenda thotë se ia dëmtoi disa pajisje.
“Ka qenë shi i rrëmbyeshëm dhe shumë shpejt lumi ka vërshuar bodrumet, më shkaktoi boll dëm, nxemjen e disa pajisje të tjera janë dëmtuar”, ka thënë Njazi Gërguri, banor i Vushtrrisë.
Reshjet e shiut shkaktuan vërshime në zona të shumta të Kosovës, duke e vështirësuar qarkullimin nëpër disa rrugë dhe shkatërroi edhe të mbjellat.
Komuna e Vushtrrisë dy ditë më parë shpalli gjendje emergjente, pasi lumi Tërstena dhe Podranqa dolën nga shtrati.
Kryetari i kësaj Komune, Ferit Idrizi, thotë se nga vërshimet ka dëme të shumta në ekonomitë familjare.
“.... E kemi thy një urë, Qeveria e kaluar ka bërë devijim të projektit nuk ka ndërtu urën, ajo ka qenë me e ulët dhe nuk ka lejuar ujin të depërtojë tutje, duke shkaktuar vërshime të shtëpive të këtyre lagjeve”, ka deklaruar Idrizi.
Fadil Hyseni, komandanti i Batalionit të Zjarrfikësve në Vushtrri, thotë se vetëm gjatë dy ditëve të fundit kanë intervenuar në së paku 20 vende.
“Kemi pasur disa intervenimi .....”
Uji depërtoi edhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vushtrri, duke e vërshuar bodrumin e dëmtuar dhe disa pajisje, përfshirë karrigen e re të stomatologjisë.
Në këtë qendër treguan se me ndihmën e një shtëpiaku kanë larguar pajisjen e ultrazërit, në vlerë 27 mijë euro, që ndodhej në bodrum.
Si pasojë e vërshimeve, nxënësit e kësaj komune nuk kanë ndjekur mësimin të enjten dhe të premten.