Arbëri

Veriu i tensioneve

Foto: Driton Paçarada / Koha

Spiralja disavjeçare e dhunës përreth urës është ndalur. Por beteja politike për hapjen e saj nuk ka përfunduar. Pikës së ndjeshme që lidhet me lirinë e lëvizjes nuk i ka dhënë zgjidhje as dialogu i Brukselit, dhe pesë marrëveshjet që flasin për lëvizjen e lirë/hapjen e urës. Jostabiliteti politik, incidentet ndëretnike dhe krimi i organizuar janë rreziqet më të mëdha për sigurinë në veri të Kosovës

Emërtimi që francezët ia kishin vënë urës, e cila ndan qytetin e Mitrovicës, 20 vjet më parë, ka dalë të mos jetë rastësi. Ura mbi lumin Ibër apo, siç e kishin pagëzuar ushtarët e KFOR-it francez, “Austerlitz”, si sinonim i betejës së përgjakshme të para 214 vjetëve kundër austro-rusëve, vazhdon të jetë simbol i ndarjes etnike ndërmjet shqiptarëve e serbëve. Jo rrallë ka qenë arenë e përplasjeve edhe të përgjakshme.

Spiralja disavjeçare e dhunës përreth urës është ndalur. Por beteja politike për hapjen e saj nuk ka përfunduar. Jostabiliteti politik, incidentet ndëretnike dhe krimi i organizuar konsiderohen rreziqet më të mëdha për sigurinë në veri të Kosovës.

Ndërsa besimi tek institucionet dhe politikanët është në rënie, vërehet rritje e besimit ndëretnik midis serbëve dhe shqiptarëve. Kjo reflektohet në kontaktet më të shpeshta, si dhe përvojat e përbashkëta nga të dyja anët.

Siguria e brishtë

Pamja e urës ka ndryshuar ndër vite. Nga gurët e zhavorri, pastaj pishat e të ashtuquajturit “Park i paqes” dhe muri i lartë dy metra, tashmë hapësira përreth urës është gati të transformohet në shëtitore. Por nuk është larguar edhe pengesa e fundit, duke e pamundësuar funksionalizimin e plotë dhe integrimin e dy qyteteve.

Afatet e vëna për hapjen e urës janë shkelur disa herë. Punët rreth rivitalizimit kishte marrë përsipër t'i kryente Bashkimi Evropian. Në fillim të urës, nga pjesa jugore, si dhe në zonën ku përfundon rruga e fillon sheshi i dedikuar vetëm për këmbësorë, qëndrojnë dy patrulla të KFOR-it italian. Pak metra tutje gjendet edhe një pikë statike e policisë së Kosovës. Policë të shumtë që patrullojnë në këmbë shihen në çdo pjesë të qytetit në veri. Pranë hapësirës ku është ngritur konstruksioni i murit qëndrojnë të parkuara dhjetëra vetura. Struktura e çelikut sipër urës është vendosur, sikurse ndriçimi i rrugëve, gjelbërimi, si dhe pajisjet e tjera urbane. Por, grumbulli me kubëzat të cilat do të duhej të ishin shtruar nga Komuna e Veriut përgjatë sheshit “Mbreti Pjetër” vazhdojnë të qëndrojnë të paketuara. Në Zyrën e Bashkimit Evropian kanë thënë se teknikisht punimet që është dashur t’i kryenin ata kanë përfunduar. Por nuk ka një datë se kur do të inaugurohet hapja e urës.

“Punimet për rivitalizimin e urës kryesore dhe hapësirën përreth në Mitrovicë teknikisht janë kompletuar. Të gjitha marrëveshjet e dialogut, duke përfshirë atë lidhur me urën kryesore, duhet të zbatohen në tërësi dhe sa më shpejt që të jetë e mundur”, kanë thënë në Zyrën për informim të BE-së.

Mospërfundimi i punimeve nuk i pengon qytetarët t'i shijojnë rrezet e diellit në një ditë prilli në sheshin e papërfunduar, pranë urës kryesore.

Pamje ndryshe është tek ura tjetër mbi lumin Ibër, e cila lidh pjesët e qytetit me rrugë automobilistike. Prej urës që lidh dy Mitrovicat deri në pikën kufitare në Jarinje janë mbi 50 kilometra. Mitrovica e Veriut është qendra kryesore administrative, biznesore, universitare rreth së cilës gravitojnë serbët si shumicë dhe komunitetet e tjera pakicë. Në “Lagjen e Boshnjakëve” gjendet edhe vargu i lokaleve ku serbët, shqiptarët, boshnjakët e turqit bëjnë tregti. Por një zhvillim i papritur brenda minutash këtë zonë mund ta shndërrojë në arenë përplasjesh e burim tensionesh, siç ka ndodhur në të kaluarën.

Për këtë janë të vetëdijshëm edhe në Departamentin e Policisë së Kosovës në veri, i krijuar pas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013. Për qëllim të hulumtimit gazeta ka zhvilluar një bisedë me zëvendëskomandantin e Policisë në veri, Besim Hoti. Me gjithë rënien e numrit të incidenteve ndëretnike, ai thotë se siguria në veri diktohet nga zhvillimet e tjera, veçmas atyre që u jepen ngjyrime politike.

“Veprimet që kryesisht kanë qenë të karakterit politik vazhdojnë të jenë të pranishme herë pas here dhe kjo krijon disbalancë sa i përket situatës së sigurisë në veri. Megjithatë sot ka lëvizshmëri dhe nuk përbën çështje problematike kush qarkullon nga veriu në jug dhe anasjelltas, qoftë në këmbë apo me automjete”, thotë Hoti. Por, sipas tij, ka ende grupe të rinjsh të cilët kanë për synim destabilizimin e situatës dhe shkaktimin e problemeve. Ai ka përmendur disa raste të rrahjes pranë shtatores së Car Llazarit në veri. Raste ekstremisht të rënda kanë qenë kur të rinjtë e përkatësive të ndryshme etnike në veri dhe jug kanë bërë paraprakisht marrëveshje nëpër rrjetet sociale për caktimin e vendtakimeve ku do të përleshen.

“Përleshje të tilla kanë ndodhur në të kaluarën, madje me pasoja serioze për shkak të përdorimit të armëve të ftohta dhe mjeteve të forta. Ne kemi arritur që disa prej tyre t’i parandalojmë duke arrestuar grupe të rinjsh nga të dyja anët. Kjo ka ndikuar që rastet e tilla të minimizohen, por jo të ndalen tërësisht”, thekson Hoti. Për shkak të ndjeshmërisë së situatës dhe shfrytëzimit të incidenteve për qëllime politike, Hoti thotë se veprimtaria e policisë në veri është e fokusuar në aspektin parandalues.

Sipas tij, disa individë për qëllime të caktuara provokojnë situata për të nxitur reagimin e palës tjetër. “Ka pasur raste që për 10 euro një i ri ka shkruar grafite me përmbajtje nacionaliste, pa qenë i vetëdijshëm për pasojat që mund të kenë këto veprime. Në këtë drejtim me rëndësi është t’i kushtohet edukimit të të rinjve prandaj qytetarin e konsiderojmë partnerin kryesor”, shprehet Hoti.

Përveç Mitrovicës së veriut, ky departament mbulon edhe tri komunat e tjera - Leposaviq, Zveçan dhe Zubin - Potok. Stacione policore janë hapur edhe nëpër zonat e përziera, siç është pika në fshatin Çabër të Zubin - Potokut.

Më 11 shtator 2010, pas ndeshjes së Kampionatit Botëror të Basketbollit, ku Turqia mundi Serbinë, kishte ndodhur një përleshje mbi urën e Ibrit. Pesë serbë dhe një oficer i EULEX-it ishin plagosur. Ishin djegur edhe disa makina të Policisë së Kosovës dhe Policisë së EULEX-it.

“Kjo ka mundur të jetë një pikë ndezëse e problemeve me karakter etnik. Edhe tani ne kemi autoritet për vendosjen e kufizimeve nëse konsiderojmë se siguria mund të cenohet, dhe ashku kemi vepruar në disa raste”, thotë Hoti.

Epiqendra e tensioneve

Historikisht ura ka qenë burim tensionesh e konfliktesh. Në shtator të vitit 2009 ishte rihapur pjesërisht për qarkullim. Ajo ishte përforcuar me forca policore vendëse e ndërkombëtare. Por ura u betonua me rërë e gurë nga banorët lokalë serbë në korrik të vitit 2011, në shenjë kundërshtimi ndaj përpjekjeve të Prishtinës për të vendosur autoritetin në veri të vendit dhe për të marrë nën kontroll pikat kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjak, të cilat ndodhen në kufi me Serbinë. Një polic i Njësisë Speciale të Kosovës ishte vrarë në këtë aksion.

Pas largimit të gurëve e rërës, veriorët ndërtuan një të ashtuquajtur “Park i paqes”. Ky park, që zëvendësoi barrikadën, e la të lirë urën vetëm për disa orë. Por me marrëveshje tjetër, palët u dakorduan që barrikada park të largohet dhe rivitalizimin e urës ta bëjë Bashkimi Evropian.

Ndërtimi i një muri të lartë dy metra e gjysmë brenda javës kishte rikthyer tensionet përreth. Pengesa u vendos në mes të rrugës nga Komuna e Veriut. Për të shmangur përdorimin e forcës nga Prishtina, veriorët e rrënuan atë. Ndodhi kjo në shkurt të vitit 2016 pas marrëveshjes shumëpalëshe mes Qeverisë së Kosovës, Komunës së Mitrovicës Veriore, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Paralelisht rinisi punimet BE-ja dhe qeverisja lokale e veriut në sheshin “Mbreti Pjetër”. Por disa incidente afër shtatores së Car Llazarit në vitin 2017 u morën si pretekst për t'i ndalur sërish ekskavatorët.

Pika e pestë e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes flet për çështjen që nuk ka të bëjë fare me urën, e ku palë implementuese definohen autoritetet lokale në Mitrovicë dhe Qeveria e Kosovës. Por caktimi i kufirit administrativ mes Mitrovicës së Veriut dhe Mitrovicës së Jugut ka mbetur peng i pretendimit të veriorëve që brenda kufijve të vet ta përfshijë edhe Suhodollin.

Mbështetur në Propozimin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës, që njihet si Pakoja e presidentit Martti Ahtisaari, qyteti i Mitrovicës është ndarë në dy komuna. Ky plan i hartuar 11 vjet më parë, e mbi bazën e të cilit Kosova e ka shpallur Pavarësinë, saktësonte se duhej të themeloheshin dy komuna të reja, me kufij komunalë të përkufizuar në një shtojcë të këtij dokumenti. Shtojca tregon se Komuna e veriut përbëhet nga tri zona kadastrale: Mitrovica Veri, Suhodoll i Epërm dhe Suhodoll i Poshtëm. Sohodollin nuk e kishte përfshirë në të. Edhe në Ligjin për kufijtë administrativë të komunave, të njëjtat zona kadastrale i përshkruhen Mitrovicës Veriore. Suhodolli i përshkruhet Komunës jugore.

Realitetet paralele

Përtej politikës dhe dialogut në Bruksel janë ndërmarrë një varg nismash lokale në funksion të zgjidhjes së konfliktit dhe pajtimit.

Miodrag Miliçeviq, i cili udhëheq organizatën më të madhe joqeveritare në veri, ka qenë cak i një sulmi në veri.

Kurse Zana Syla është menaxhere e programit në Qendrën Multietnike për Zgjidhjen Alternative të Konflikteve. Si dy qytetarë të kësaj anë, që kanë përjetuar ndjenjën e pasigurisë, tani merren me aktivitete që ndikojnë në zgjidhjen e konflikteve dhe arritjen e pajtimit.

Në vitin 2010, Miliçeviqit i është djegur vetura para ndërtesës ku banon. Prej atëherë rasti nuk është zbardhur, as autorët nuk janë gjetur.

“Kam humbur plotësisht besimin në polici. Deri më tani kam marrë zero informacion në lidhje me rastin edhe pse jam interesuar disa herë. Asgjë nuk ka ndodhur”, thotë Miliçeviq, i cili atëkohë punonte për misionin e OSBE-s në veri. Me gjithë përmirësimet viteve të fundit, sipas Miliçeviqit ende ka pasiguri në veri.

Edhe hulumtime të organizatës që udhëheq Miliçeviqi flasin për perceptimin e lartë ndaj frikës tek qytetarët. Ajo manifestohet edhe kur vjen puna tek hapja e Urës së Ibrit. Mbështetur në analizën e trendit për vitit 2018, serbët e veriut vazhdojnë të jenë kundër hapjes së urës. Rreth 67 për qind e tyre janë deklaruar se hapja e kësaj ure do të ndikonte negativisht në situatën e sigurisë, 27 për qind thonë se ajo nuk do të kishte ndikim, dhe vetëm 4.8 për qind mendojnë se kjo do të ndikonte pozitivisht.

“Gjithmonë kemi theksuar se një nga elementet kryesore që duhet kushtuar vëmendje politikëbërësit është frika individuale për incidente ndëretnike. Aktualisht askush nuk po brengoset për këtë. Duhet lëvizur dhe adresuar këto çështje, pasi po humbet energji se kur do të hapet, pse nuk hapet ura. Ky është një rreth vicioz që nuk po na lë të lëvizim përpara”, ka theksuar Miliçeviq.

Qendra për Zgjidhjen Alternative të Kontesteve – Qendra për Ndërmjetësim Mitrovicë (ADRC – MCM) është ndër organizatat e vetme multietnike me bazë në rajonin e Mitrovicës. Puna e saj konsiston në dy drejtime - (1) ofron shërbime të ndërmjetësimit për qytetarët e rajonit të Mitrovicës dhe promovon ndërmjetësimin si alternativë për zgjidhjen e kontesteve/lëndëve; (2) si dhe zhvillon projekte e implementon aktivitete që krahas ndërmjetësimit po ashtu u kontribuojnë proceseve të pajtimit dhe paqes në Mitrovicë. Prej kur është krijuar dhe deri në prill 2019, përmes ADRC – MCM kanë hyrë në ndërmjetësim rreth 1400 raste, mbi 93 për qind prej tyre janë zgjidhur me sukses dhe më shumë se 3500 palë kanë qenë pjesë e ndërmjetësimit.

Zana Syla thotë se komunitetet në veri deri në vitin 2013 kanë jetuar në një realitet paralel, të ndryshëm nga ai që e kanë jetuar qytetarët në pjesën tjetër të Kosovës. Me Marrëveshjen e Brukselit dhe fillimin e procesit të integrimit, sipas saj, kjo situatë ka ndryshuar dhe janë bërë një seri hapash në drejtim të përfshirjes së komuniteteve, përkatësisht komunitetit serb në jetën institucionale dhe shoqërinë kosovare. Megjithatë, sipas vëzhgimeve të ndryshme me qytetarë qoftë nga veriu, apo jugu i Mitrovicës, ata ndajnë mendimin që interesat e tyre nuk janë përfaqësuar. Si rrjedhojë, edhe efektet e këtij procesi kanë qenë të kufizuara.

“Një sentiment dhe opinion i tillë është dukshëm më i pranishëm në komunitetin serb të kësaj ane, të cilët kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë deri në një masë aversion ndaj gjithë zhvillimit, pra atij të integrimit”, thotë ajo.

Kur i referohemi ndikimit të marrëveshjeve të Brukselit që kanë të bëjnë me situatën e sigurisë, Syla vlerëson se shumica e pjesëmarrësve në analizën e tyre të opinionit publik- ‘’Përtej urës: simbolika, liria e lëvizjes dhe siguria’’, kanë deklaruar se asnjëra nga marrëveshjet e arritura në Bruksel nuk ka kontribuar në situatën e sigurisë. Po ashtu ka dallime minimale mbi atë se si qytetarët e shohin ndikimin e këtyre marrëveshjeve në veri dhe në jug të lumit Ibër. Fakt interesant është se shqiptarët në Mitrovicë duket se kanë më shumë besim në marrëveshjet e arritura. Ky grup konstaton se marrëveshja për integrimin e sistemit të drejtësisë (29.9 për qind) dhe marrëveshja për integrimin e ish-punonjësve të MPB-së në Policinë e Kosovës (16.1 për qind) janë dy marrëveshjet që kanë ndikuar më së shumti në situatën e sigurisë në veri. Nga ana tjetër, serbët e Kosovës në Mitrovicë, (72.1 për qind) kanë shprehur mendimin se asnjëra prej marrëveshjeve nuk ka pasur ndikim të rëndësishëm në situatën e sigurisë në veri. Parimisht, marrëveshja që ka ndikuar më shumë në gjendjen e sigurisë në veri, sipas 12.2 për qind të të anketuarve serbë, është Marrëveshja për integrimin e ish-pjesëtarëve të MUP-it në Policinë e Kosovës.

“Bazuar në këtë mund të shihet se, sipas perspektivës qytetare, situata e sigurisë nuk ka shënuar shumë ndryshime”, ka theksuar Syla.

Më tepër sesa në situatën e sigurisë, Marrëveshjet e Brukselit dhe procesi i integrimit kanë ndikuar në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike.

“Kështu, prezantimi dhe komunikimi me sistemin, institucionet, më tej tregun e shoqërinë, ka nxitur edhe komunikimin ndëretnik. Këtu duhet të hapet një parantezë për kontributin që ka dhënë në përmirësimin e marrëdhënieve edhe shoqëria civile, organizatat si Qendra për Zgjidhjen Alternative të Kontesteve – Qendra për Ndërmjetësim Mitrovicë (ADRC – MCM), që është një ndër organizatat e vetme multietnike në këtë pjesë të Kosovës”, thotë ajo.

“Betimi për të heshtur”

Produkt i Marrëveshjes së Parë të të ashtuquajturës për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është Lista Serbe. Partitë e tjera që zgjodhën ta sfidojnë këtë subjekt akuzohen nga Beogradi zyrtar si përçarëse mes serbëve. Si rezultat i kësaj, më 19 maj, kur u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar, Lista Serbe u sfidua vetëm nga partitë shqiptare, që janë pakicë në këtë pjesë. Nuk mori pjesë as subjekti kryesor nga opozita - Iniciativa Qytetare Serbe, së cilës iu vra lideri në janar të vitit të kaluar për motive ende të pazbuluara.

Serbia nuk i kufizoi akuzat vetëm ndaj partive në veri. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, akuzoi mediet në veri për spiunazh kundër Serbisë dhe për thyerjen e unitetit të Serbisë. Mesazhin e dha nga vizita në Pekin të Kinës. Kësaj akuze iu kundërpërgjigj redaktorja e mediumit kryesor online në veri, “Kossev.info”. Tatjana Lazareviq në bisedë me gazetën ka folur për presione ndaj atyre mediumeve që prodhojnë lajme kritike kundër pushtetit.

“Ishte një goditje e ulët, një sport jo i ndershëm. Është e panevojshme të përmendet irracionalizimi i një politikani që nënshtron dukshëm dhe fuqishëm mediet e lira. Për më tepër, zyrtari i lartë shtetëror ngre zërin kundër mediave të lira, të cilat tashmë po punojnë në mjedis të rënduar të punës dhe jetesës”, thotë Lazareviq , e cila vitin e kaluar ka marrë çmimin “Personaliteti i vitit 2018”, nga revista “Vreme”.

Redaksia e “KoSSev” u shpall fituese e çmimit “Dusan Bogavac”, i cili ndahet nga gazetarët e pavarur serbë, për etikë dhe guxim të dëshmuar.

Aspekt lehtësues për Lazareviqin karshi presioneve politike ishte vëmendja dhe përkrahja nga kolegët, organizatat e shoqërisë civile dhe individë të tjerë në Serbi, “të cilët ngritën fuqishëm zërin e tyre dhe mbuluan gjerësisht këtë zhvillim”.

“Nga ana tjetër, unë nuk jam e kënaqur me mbështetjen e ndërkombëtarëve, veçanërisht të atyre organizatave që kanë për mision mbrojtjen e mediave të lira, siç janë OSBE-ja dhe BE-ja”, thekson Lazareviq.

Duke folur për raportimet që bëhen në veri të Kosovës, sipas saj, ka shumë njëanshmëri, të pavërteta, lajme të rreme ose “gjysmë të vërteta”.

“Këto të fundit (gjysmë të vërtetat) shpesh i përdorin ato media apo gazeta që duan të besojnë se janë objektive dhe raportojnë në mënyrë profesionale. Dhe gjysma e të vërtetave mund të jetë shpesh më e rrezikshme sesa një gënjeshtër”, shprehet Lazareviq. Ajo që personalisht e ka goditur atë më së shumti në 20 vjetët e fundit, kur flitet për veriun e Kosovës - është mungesa e “anës tjetër”. Pala tjetër në vlerësimin e gazetares është edhe vetë populli.

“Së fundi, unë e shoh në të dyja anët një frikë të madhe dhe mosbesim ndaj ndjenjës së lirë për të aplikuar një politikë redaktimi me shumë informacion. Unë i shoh redaktorët ose të frikësuar ose thjesht duke injoruar sjelljen e më shumë zërave të ndryshëm në Kosovë në gazeta, portale apo televizionet e tyre. Betimi për të heshtur është ende duke sunduar”, thotë ajo.

Alarmi i tensioneve

Alarmi i emergjencës në veri vazhdon të ndizet nga veriorët sa herë që Policia e Kosovës ndërmerr ndonjë aksion atje. Kështu ndodhi muajin e kaluar kur dhjetëra serbë iu përgjigjen thirrjes për të vendosur barrikada në veri, në tentim për ta ndalur një aksion të Policisë së Kosovës për arrestimin e disa zyrtarëve të dyshuar për përfshirje në kontrabandë me mallra. Policët u sulmuan edhe me armë, ku tre prej tyre mbetën të plagosur. Serbia dramatizoi me situatën duke kërcënuar edhe me intervenim ushtarak, nëse nuk tërhiqen njësitë speciale.

Pasiguria mbretëroi edhe në fillim të vitit të kaluar, kur në qendër të qytetit u vra politikani më i njohur i kësaj ane, Oliver Ivanoviq. Autorët e këtij krimi nuk janë zbuluar dhe rasti është duke u hetuar nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Prishtinë.

Policia nuk arriti ta kapte të dyshuarin kryesor, Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, figurë kjo e lidhur me krimin në veri dhe rolin udhëheqës të strukturave paralele.

Besim Hoti thotë se aksionet e tilla ndikojnë në ndjenjën e pasigurisë tek qytetarët, por, sipas tij, veprimet policore në mbledhjen e dëshmive dhe arrestimet kanë qenë të papenguara.

“Çdo veprim i autorizuar nga prokurori është realizuar në veri, duka filluar nga vendi i kontrollit, arrestimet. Kemi pasur bashkëpunim me qytetarët në zhvillimin e procedurave dhe mbledhjen e dëshmive për procedurën e mëtejme hetimore”, ka thënë Hoti.

Ngjarjet e tilla kanë kolapsuar besimin e qytetarëve ndaj sistemit të drejtësisë, vlerëson Miliçeviq.

“Secili prej nesh nisëm ta pyesnim veten që nëse vritet një politikan çka na pret neve. Por gjysmë viti më vonë, nuk ka progres në zbardhjen e rastit. Është një lojë pingpongu mes Kosovës dhe Serbisë. Fatkeqësisht edhe disa medie janë bërë tabloide, duan të jenë më shumë ekskluzive sesa hulumtuese. Prandaj në shumë raste, situata është e mjegullt”, ka thënë ai.

Por sa janë të pranishme strukturat paralele, të financuara nga Serbia, e të cilat për një kohë të gjatë kanë ushtruar kontroll efektiv në veri. Në Polici thonë se ato nuk janë aq të pranishme sa të cenojnë direkt sigurinë në baza ditore. Por situata ndryshon kur vjen fjala tek ngjarjet me karakter politik mes Kosovës dhe Serbisë. “Sa më stabil të jetë niveli politik, kontributi do të jetë më i madh në rritjen e sigurisë. Nëse e sheh lëvizjen e lirë të njerëzve në baza ditore, nuk ka asnjë pikë problemi. Kjo nuk do të mundë të ndodhte para pesë vjetësh”, ka theksuar Hoti.

Amnistimi i krimeve, integrimi i strukturave ilegale...

Dialogu i Brukselit mundësoi edhe integrimin e strukturave paralele duke u amnistuar edhe veprat kriminale të serbëve kundër shtetësisë së Kosovës. Por probleme të shumta e kanë shoqëruar këtë proces. Nga 337 ish-pjesëtarë të MUP-it serb, 292 prej tyre u bënë pjesë e Policisë së Kosovës.

Një prej të integruarve është Branislav Radoviq, i cili mban gradën toger. Megjithëse nuk preferon të flasë shumë për të kaluarën, ai thotë se angazhohet çdo ditë për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët, pa dallim.

“Bashkëpunimi me të gjithë kolegët këtu është shumë i mirë, dhe nuk kemi asnjë problem. Fundja, qëllimi i të gjithë neve është t’u mundësojmë qytetarëve të ndihen të sigurt në familjet dhe pronat e tyre”, thotë ai.

Në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013 për parimet që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve, janë ndërmarrë veprime për integrimin edhe të pjesëtarëve të Mbrojtjes Civile serbe. Vendimi i datës 27 korrik 2015, parashikonte shpërbërjen e kësaj strukture, që ka pasur në përbërje kryesisht gjenerata të reja. Pjesa më e madhe e tyre nuk kanë përfunduar shkollimin e lartë, kurse ata që kanë përfunduar këtë shkollim e kanë bërë në Universitetin e Mitrovicës Veriore, të cilin Prishtina e konsideron paralel. Grupi i parë prej 483 pjesëtarëve - prej të cilëve vetëm 25 gra, u integruan në ministritë dhe agjencitë e Qeverisë. Grupi i dytë i përbërë nga 50 persona u integrua në 17 institucione qendrore në korrik të vitit 2016. Sfidë për Qeverinë ka dalë të jetë integrimi i 39 prej 71 ish-pjesëtarëve të MUP-it serb në zyrat e gjendjes civile në katër komunat veriore. Edhe pse MAPL-ja ka bërë përgatitjet e nevojshme për integrimin e këtyre pjesëtarëve, megjithatë, siç thuhet në raportin e Qeverisë, komunat veriore po refuzojnë të integrojnë 39 punonjësit në strukturat komunale.

Disa prej këtyre pjesëtarëve ende nuk kanë nisur punën për llogari të institucioneve të Kosovës. Megjithatë ata vazhdojnë të marrin paga. Vetëm Ministria e Zhvillimit Ekonomik i ka paguar 18 punonjës të ish-strukturave paralele serbe pa punuar fare. Mbështetur në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditorit për këtë ministri, MZHE-ja kishte shpenzuar mbi 92 mijë e 330 euro për paga të tyre, edhe pse nuk kanë dalë në vendin e punës. Edhe Ministria e Shëndetësisë ka shpenzuar 97 mijë e 733 euro për pagat e 22 punonjësve të ish-strukturave paralele serbe, pa punuar fare.

Megjithatë, Zyra e Bashkimit Evropian e konsideron storie suksesi integrimin e policisë dhe gjyqësorit në veri.

“Marrëveshja e Brukselit ka hedhur themelet për integrimin e gjyqësorit dhe integrimin e policëve serbë në institucionet e Kosovës duke kontribuuar në normalizimin e marrëdhënieve, duke përmirësuar dhe stabilizuar në tërësi sektorin e sigurisë që promovon sundimin e ligjit”, kanë thënë në Zyrën e BE-së.

Problemet me drejtësinë

Përballë objektit të policisë në veri ndodhet Gjykata Themelore e Mitrovicës, e themeluar pas Marrëveshjes për integrimin e gjyqësorit më 10 shkurt të vitit 2015. Përveç Gjykatës është themeluar edhe një Zyrë për Prokurorinë Themelore, për gjithë rajonin e Mitrovicës, në të cilin përpos katër komunave me shumicë serbe, bëjnë pjesë edhe Mitrovica Jugore, Skenderaj e Vushtrria. Janë edhe katër departamente të Gjykatës Themelore: në Zubin-Potok, Leposaviq, Vushtrri dhe në Skenderaj. Kjo gjykatë e ka njësinë e Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, të përbërë nga 5 gjykatës serbë dhe 2 gjykatës shqiptarë, si dhe Departamentin për krime të rënda për tërë rajonin e Mitrovicës, që përfaqësohen nga 4 gjykatës. Kjo do të jetë pjesë e Departamentit të Përgjithshëm që do të trajtojë të gjitha veprat penale për Mitrovicën e Jugut dhe të Veriut, si dhe Zveçanin.

Janë një sërë sfidash me të cilat vazhdojnë të ballafaqohen institucionet në zbatimin e marrëveshjes për drejtësi. Për shkak të pamundësisë që të komunikojë direkt me autoritetet serbe, Qeveria i dërgon kërkesat e saj përmes Zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së. Nga tetori i vitit 2014, kërkesat e Qeverisë për asistencë juridike në çështjet civile dhe penale janë dërguar përmes EULEX-it. Qeveria ka shprehur shqetësimet e saj edhe për vulat. Serbia i vulos dokumentet me mbishkrimin “Republika e Serbisë - Kosova dhe Metohija - nën administrimin e OKB-së dhe Rezolutës 1244”. Kjo vulë vendoset në dokumentet origjinale të gjykatave dhe organeve të tjera të Kosovës.

Po ashtu, ende nuk është vendosur se çfarë do të ndodhë me vendimet e gjykatave paralele. Këtë e kanë theksuar si sfidë edhe në misionin e OSBE-së.

“Sa i përket zbatimit të marrëveshjes për drejtësi, pengesat kryesore janë: njohja e aktgjykimeve të lëshuara nga gjykatat para integrimit të gjyqësorit, alokimi i vonuar i rasteve civile, numri i pamjaftueshëm i përkthyesve, mungesa e internetit”, ka thënë Senad Saboviq, zëdhënës në OSBE.

Kjo organizatë ka shprehur shqetësime edhe për situatën e sigurisë në veri.

“Vetë fakti se dialogu në Bruksel ka ngecur shkakton tensione politike. Situata e sigurisë në përgjithësi nuk ka ndryshuar. Sidoqoftë, të gjitha palët duhet të vazhdojnë të bëjnë përpjekje që të ruajnë stabilitetin, veçanërisht në veri, ku rrethanat janë me specifike dhe ku raportet mes komuniteteve janë më të vështira”, ka theksuar Saboviq.

Rol në zbatimin marrëveshjeve ka edhe Misioni EULEX në Kosovë. Ky mision këshillon Kryetarin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës dhe shefin e Divizionit të Gjykatave të Apelit në Mitrovicë, “për t’u siguruar që institucionet gjyqësore të funksionalizohen plotësisht në kuadrin ligjor të Kosovës”.

Misioni më i madh për sundim të ligjit i BE-së, që zbarkoi në Kosovën në vitin 2008, lehtëson zbatimin teknik të marrëveshjeve dhe protokolleve të arritura gjatë dialogut në Bruksel, përfshirë Protokollin Teknik të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM), Marrëveshjet për Lirinë e Lëvizjes dhe Marrëveshjen për Drejtësi. Zyrtarët të këtij misioni kanë thënë se punojnë ngushtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Gjykatën Themelore të Mitrovicës, Divizionin e Gjykatave të Apelit në Mitrovicë dhe autoritetet e ndryshme të Kosovës, përgjegjëse për zbatimin e marrëveshjeve.

Sa i përket zbatimit të Protokollit Teknik të IBM-it, këshilltarët e EULEX-it ofrojnë këshilla teknike për ndërtimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar me Serbinë, ndërsa kohët e fundit ata kanë mbështetur hartimin e Strategjisë për Menaxhimin e Integruar të Kufirit 2019-2023, Planin e Veprimit, si dhe Planin Zhvillimor për Qendrën Kombëtare të Menaxhimit të Kufirit. Por funksionalizimi i pikëkalimit të përbashkët kufitar në Merdar ka mbetur peng për shkak të refuzimit të Serbisë që të zhvendoset në objektin e përbashkët, ashtu siç e obligon Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM).

“Dita e mirë nuk u pa në mëngjes”

Sipas Tatjana Lazareviqit, ka dalë i gabuar pretendimi që brenda natës të ndryshojë konteksti politik dhe shoqëror në veri. Ajo thotë se marrëveshjet e Brukselit nuk kanë ndikuar në rritjen e sigurisë, sundimin e ligjit dhe rendit, as në instalimin e transparencës, drejtësisë apo demokracisë.

“Ka ndodhur krejt e kundërta. Aktualisht procesi i dialogut dhe zbatimi efikas i marrëveshjeve të arritura ndodhen në bllokadë. Disa prej tyre as që kanë filluar të zbatohen, siç është Marrëveshja e Asociacionit/Bashkësisë, e cila ka rëndësi të veçantë për qytetarët në zonat ku dominojnë serbët”, thotë Lazareviq, e cila është kthyer krejt në fillim të këtij procesi për të argumentuar se “dita e mirë nuk u pa në mëngjes".

“Udhëheqja politike e veriut të Kosovës është zëvendësuar brenda natës nga një seri veprimesh prej Beogradit zyrtar. I pëlqen dikujt apo jo, është fakt se vullneti i qytetarëve në veri, të cilët gjatë viteve kanë demonstruar qartë vullnetin e tyre për të mos u integruar në sistemin e Kosovës – u injorua brutalisht”, vlerëson ajo.

Për arsye pragmatike, nëse do të bëhej një marrëveshje politike e nivelit të lartë, sipas Lazareviqit, më e pakta do të ishte të hapej një kanal i dialogut dhe fushatë informuese për të diskutuar me komunitetin, e ku do të përfshiheshin të dyja palët- Prishtina dhe Beogradi.

“Për më tepër, politika shumëvjeçare e Beogradit për të mbështetur rezistencën e komunitetit serb në veri kundër sistemit të Kosovës ndryshoi brenda natës në drejtim të kundërt, gjë që ishte jashtëzakonisht e rrezikshme për komunitetin”, ka theksuar Lazareviq. Ajo ka listuar një seri ngjarjesh që ndodhën në vitin 2013/2014. Ka kujtuar se si një grup i banditëve të maskuar shkatërruan kutitë e votimit në një qendër në Mitrovicën e Veriut, para mbylljes së votimit, në shtator të vitit 2013.

Kërstimir Pantiq i mbështetur nga SNS-ja dha dorëheqje vetëm disa ditë pasi u zgjodh kryetar. Një kandidat për kryetar komune, Dimitrije Janiçijeviq, u vra gjatë fushatës paraelektorale më 16 janar 2014. Dhjetë ditë më vonë një tjetër kandidat për kryetar, Oliver Ivanoviq, u arrestua si i dyshuar me akuzat për krime lufte, që do të lirohej 3-5 vjet më vonë dhe më pas u vra pas votimit të dytë për zgjedhjet lokale. Krejt në fund, votat e veriut nuk u numëruan në Fushë-Kosovë, ashtu siç e kërkon procedura, por në Rashkë.

“Ku dua të dal është se një seri e krimeve të tmerrshme dhe një seri veprimesh të paligjshme u zhvilluan njëra pas tjetrës, të gjitha në lidhje me zgjedhjet pas Marrëveshjes së Brukselit, dhe nuk e morën asnjë vëmendje. Në vend të kësaj, procesi zgjedhor u vlerësua i rregullt, u duartrokit nga Prishtina, Beogradi dhe ndërkombëtarët”, thotë Lazareviq.

Aktualisht dialogu i Brukselit aktualisht ka shënuar pikën më të ulët. Për pasojë shumica e marrëveshjeve të dialogut janë në bllokadë, për shkak të zhvillimeve rreth taksës dhe rikthimit të përplasjeve mes zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë.

Në pritje të rinisjes së dialogut janë organizatat e shoqërisë civile që nuk ndalen së promovuari pajtimin dhe krijimin e urave brenda të cilave pjesëtarët e grupeve të ndryshme etnike angazhohen dhe punojnë drejt zgjidhjes së konflikteve.

“Mund të konkludohet se në raport me situatën e sigurisë marrëdhëniet ndëretnike kanë shënuar më shumë përmirësim dhe situata është më e mirë se që ka qenë, megjithatë ende larg pritshmërive dhe niveleve të dëshiruara”, ka theksuar Zana Syla.

Pajisja me dokumente personale

Pajisja me dokumente personale dhe funksionalizimi i gjendjes civile në veri është një aspekt tjetër i rëndësishëm sa i përket sigurisë. Mbështetur në marrëveshjen e Brukselit, ministri i Punëve të Brendshme më 5 korrik 2018 ka nxjerrë vendim ku u mundëson të gjithë qytetarëve, të cilët i kanë regjistruar faktet e gjendjes civile (lindjet, martesat dhe vdekjet), në strukturat jolegale serbe, nga data 10 qershor 1999 deri më datën 14 shtator 2016 - t’i regjistrojnë në Regjistrin qendror të gjendjes civile të Kosovës.

Lidhur me Marrëveshjet për Lirinë e Lëvizjes, EULEX-i ka thënë se përkrah banorët në pjesën veriore të Kosovës për qasje në dokumentet e statusit civil, “siç janë letërnjoftimet, pasaportat, patentat e vozitjes dhe dokumentet e regjistrimit të automjeteve”.

Për qëllim të hulumtimit, MPB-ja ka vënë në dispozicion numrin e dokumenteve të lëshuara në katër komunat veriore. Në Mitrovicën e Veriut janë lëshuar 13 mijë e 773 letërnjoftime, 1 mijë e 695 pasaporta dhe 2 mijë e 159 patentë shoferë. Në Leposaviq janë lëshuar 11 mijë e 125 letërnjoftime, 410 pasaporta dhe 2 mijë e 374 patentë shoferë. Kurse në Zubin-Potok, me letërnjoftime të Kosovës janë pajisur 6 mijë e 98 qytetarë, me pasaporta 720, kurse patentë shoferë kanë marrë 1 mijë e 511 qytetarë. Në Zveçan janë 6 mijë e 609 qytetarë të pajisur me letërnjoftime të Kosovës, 532 me pasaporta, si dhe 1 mijë e 262 me patentë shoferë.

Ndërkaq Policia në veri thotë se prej fundit të vitit 2018 ka ndërmarrë një plan operativ për largimin e të gjitha veturave pa targa dhe pa sigurim.

(Projekt i financuar nga BE-ja, i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN-i dhe AGK-ja).