Serbët e katër komunave veriore të Kosovës kanë protestuar në sheshin e Mitrovicës së Veriut, për t’i kundërshtuar arrestimet dhe aksionin e Policisë së Kosovës të së martës, në këtë pjesë.
Pos fjalimeve të tyre nacionaliste se “Kosova është zemra e Serbisë” dhe se, sipas tyre, këtë duhet ta dinë të gjithë, ata kërkuan edhe lirimin e të arrestuarve, raporton KTV.
“Rezistenca e qytetarëve të Zubin Potokut ndaj forcave të caktuara policore të cilat përdorën dhunë brutale ndaj serbëve një ditë më parë, është për t’u përshëndetur. Dje, këto forca kanë përdorur dhunë duke dashur ta përulin popullin serb në emër të drejtësisë dhe kjo është turp për shqiptarët dhe bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Goran Rakiq, kryetar i “Listës Serbe”.
Ndërsa, kryetari i Zubin Potokut, aksionin e djeshëm e ka krahasuar me bombardimet e NATO-s.
“Dje, për të satën herë, na kanë zgjuar sirenat që na kanë përkujtuar bombardimet e NATO-s si 20 vjet më parë. Aq shumë është përdorur dhunë, sa s’kam fjalë për ta shprehur. Diçka të tillë s’kemi parë deri tash. Kemi pasur shumë protesta por brutalitet të tillë s’kemi përjetuar. Fakti që është rrahur një person shurdhmemec dhe administratori i UNMIK-ut, tregon gjithçka”, ka thënë Sllagjan Vulloviq, kryetari i Zubin Potokut.
“Po thonë se kjo është luftë kundër krimit kjo është totalisht absurde . Jemi mbledhur më shumë se 10 mijë qytetarë për ta dëshmuar unitetin me shtetin e Serbisë dhe presidentin Aleksandër Vuçiq”, ka thënë Millan Ivaoviq, drejtori i spitalit në Mitrovicën e Veriut.
“Jemi mbledhur për të satën herë për t’i treguar bashkësisë ndërkombëtare se jemi të pathyeshëm për të qëndruar në vatrat tona dhe për t’i mbrojtur fëmijët tanë. Jemi të vendosur më shumë se kurrë, sepse shumë gjak është derdhur në këtë urë”, ka thënë Zoran Todiq, kryetar i Leposaviqit.
Protesta ka zgjatur më pak se një orë, derisa serbët janë shpërndarë të qetë.
Të martën, Policia e Kosovës ka kryer një aksion në shumë pjesë të vendit, kryesisht në veri, kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës.