Arbëri

Verifikimi i njehsorëve po bëhet sipas praktikës së ndaluar më 2019

Vetëm nëntë kërkesa për verifikim të jashtëzakonshëm të njehsorëve elektrikë ka pranuar Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nga KEDS-i në katër muajt e parë të këtij viti. Por verifikimi i këtyre orëve nga zyrtarët e Agjencisë së Metrologjisë është bërë në laboratorin e KEDS-it, ndonëse kjo praktikë është ndërprerë në vitin 2019 me arsyetimin se përbën shkelje të Ligjit për Metrologji. Ministria e Tregtisë fillimisht ka thënë se verifikimi po bëhet në laboratorin e Agjencisë e jo të KEDS-it, për të sqaruar më pas se laboratori i AMK-së nuk është i akredituar

Afro një mijë njehsorë të energjisë elektrike i janë nënshtruar verifikimit të jashtëzakonshëm pas dyshimeve për keqfunksionim në periudhën katërmujore. Verifikimi i tyre, nga shtatori i vitit 2021 është duke u bërë në laborator të KEDS-it, ndonëse një praktikë e tillë ishte ndaluar me arsyetimin se përbën shkelje të Ligjit për Metrologji.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka tentuar të fshehë faktin se verifikimi i njehsorëve po bëhet në laboratorin e KEDS-it. Në përgjigje për KOHËN, nga Ministria fillimisht kanë thënë se verifikimi aktualisht kryhet në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë. Por, pasi KOHA ka kërkuar sqarim se ku janë kryer verifikimet nga shtatori i vitit 2021, në Ministri janë përgjigjur se kjo është bërë në laboratorin e AMK-së dhe të KEDS-it.

E në përgjigjen tjetër kanë treguar se laboratori i AMK-së nuk është i akredituar.

“Laboratori i matjeve elektrike në kuadër të AMK-së nuk është i akredituar dhe akreditimi i këtij laboratori nuk është ligjërisht i obliguar, por AMK-ja është duke i përgatitur procedurat dhe është duke zhvilluar sistemin e menaxhimit të cilësisë më qëllim të akreditimit për të gjithë laboratorët brenda AMK-së. Për informatën tuaj, në këtë laborator pajisjet/etalonët, të cilët përdoren për verifikimin e njehsorëve elektrikë, kanë gjurmueshmërinë e përcjellë nga laboratorët e vendeve të BE-së, sipas akteve ligjore në fuqi. Në këtë laborator punojnë zyrtarë të cilët janë të certifikuar për t’i kryer aktivitetet e kontrollit ligjor/verifikimit të njehsorëve elektrikë. Kushtet në të cilat realizohen aktivitetet e verifikimit në këtë laborator i plotësojnë kërkesat që dalin nga aktet ligjore dhe standardet përkatëse ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Në Ministri kanë thënë se që nga fillimi i këtij viti i kanë pranuar 9 kërkesa për verifikim të jashtëzakonshëm, ku janë verifikuar 985 njehsorë. E në KEDS nuk janë përgjigjur lidhur me këtë çështje tash e disa ditë.

E në një komunikatë për media, KEDS-i ka bërë të ditur se për 5 muaj janë bërë 40 mijë kontrolle dhe se janë identifikuar rreth 2 mijë e 900 keqpërdorime. Në afro 600 raste, sipas KEDS-it, është vërtetuar se po anashkalohet matja e saktë e energjisë elektrike, ani se nuk bëhet e ditur se kush i ka bërë këto konstatime. Rastet e tilla, sipas KEDS-it, do t’u nënshtrohen procedurave gjyqësore.

Por, një vendim gjyqësor që mban datën 29 shtator 2022 ndaj një qytetari me dyshimin për vjedhje të rrymës është hedhur poshtë.

Kjo, meqë është konstatuar se KEDS-i në rast të dyshimit për mosfunksionim të rregullt të njësorit elektrik mund vetëm të bëjë shkyçje të njehsorit elektrik, por jo edhe ta bëjë këputjen e blombave dhe rrjedhimisht edhe ekspertizën metrologjike pa praninë e ekspertëve të AMK-së, si organ i vetëm i administratës shtetërore për metrologji në Kosovë.

“E dëmtuara është dashur që në cilësinë e subjektit juridik/pronarit të mjeteve matëse ta bëjë kërkesën për verifikim të jashtëzakonshëm, me ç’rast formohet komisioni ku njëri nga anëtarët duhet të jetë një zyrtar i AMK-së, e atëherë në prezencë të komisionit hapet njehsori dhe vlerësohet gjendja e brendshme e tij. Bazuar në nenin 6 të Ligjit për Metrologjinë, janë përcaktuar taksativisht funksionet dhe përgjegjësitë e AMK-së, ku në paragrafin 1 pika 1.14 theksohet ‘kryerjen e aktiviteteve për ekspertizën metrologjike’, çka do të thotë se kryerja e kësaj ekspertize është kompetencë ekskluzive e AMK-së”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Edhe ish-drejtori i AMK-së, Ferki Fejza, ka thënë se nuk mund t’i jepet e drejta për t’i verifikuar orët e kompanisë, e cila është pronare e pajisjeve.

“Kusht që një trup të emërohet për të bërë verifikim të njehsorëve, apo mjeteve matëse të kontrolluara për fusha të tjera, duhet të jetë i akredituar nga një trupë e njohur dhe të sigurohet që të jenë kompetentë dhe të paanshëm dhe që duhet t’i kryejnë detyrat në mënyrë jodiskriminuese. Në këtë rast bie ndesh nëse i lejohet të kryhet verifikimi në laborator që është direkt në kuadër të kompanisë që është pronare e mjeteve matëse”, ka thënë Fejza.

Përveç verifikimeve të jashtëzakonshme, njehsorët duhet t’u nënshtrohen edhe verifikimeve të rregullta periodike, por që nga 600 mijë njehsorë sa janë të regjistruar, në tre vjetët e fundit janë verifikuar vetëm 150, të gjithë të bizneseve.