Arbëri

Vërejtje të shumta për Komunën e Prizrenit lidhur me rehabilitimin e rrugës në qendër

Komuna e Prizrenit ka planifikuar që sivjet të rehabilitojë rrugën “Shaip Spahiu” në qendër të qytetit, duke eliminuar edhe parkingjet aty. Një gjë e tillë është kundërshtuar nga banorët e bizneset që operojnë në këtë pjesë. Ndërsa organizatat e shoqërisë civile kanë kërkuar që projektet e tilla të hartohen me gjithëpërfshirje, respektivisht me konsulta nga fazat e hershme

Prezantimi i projektit detal për ndërhyrjet në rrugën “Shaip Spahiu” në Prizren është shoqëruar me diskutime, me ç’rast banorët sikurse edhe bizneset që operojnë në këtë pjesë kanë adresuar disa kërkesa.

Ata kanë insistuar që të gjendet një zgjidhje për çështjen e parkingjeve dhe punimet të mos zhvillohen gjatë sezonit veror.

Bashkim Gashi, banor i kësaj rruge, ka theksuar se për këtë projekt duhet kujdes i shtuar.

“Kisha sugjeruar që Komuna ende të vazhdojë konsultimet dhe të shikojë zgjidhjen e mundshme të kërkesave, që i kanë qytetarët, së pari banorët aty, mandej bizneset që operojnë, dhe natyrisht që edhe të kihet kujdes në realizim”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq Valon Xhabali nga organizata joqeveritare “Ec Ma Ndryshe” ka vlerësuar se po vijon praktika për hartimin e projekteve të tilla pa konsultime e transparencë të duhur.

Sipas tij, projektet e kësaj natyre, që prekin edhe Qendrën Historike, nuk do të kenë qëndrueshmëri nëse nuk aplikohen gjithëpërfshirja dhe konsultimet nga fazat e hershme.

“Prandaj ne shqetësimet tona i ngritëm aty, që ky projekt duhet të ketë gjithëpërfshirje, duhet të ketë konsultime të vërteta jo vetëm prezantime se si do të duket. Edhe na u dha një premtim nga drejtori se do të publikohet në ueb faqen e Komunës dhe se kemi afat 2 javë për të dhënë komente”, u shpreh Xhabali.

Zyrtarët përgjegjës komunalë kanë pohuar se vërejtjet që kanë bazë do të mundohen që t’i përfshijnë në projekt, teksa kanë shtuar se po shqyrtojnë hapësira alternative për parkingje.

“Ne i mirëpresim të gjitha vërejtjet e qytetarëve, edhe të shoqërisë civile, edhe të akterëve të tjerë, të cilët dëshirojnë të kontribuojnë në këtë projekt, edhe të gjitha propozimet e tyre të cilat janë, konform Ligjit për trashëgimi kulturore do të inkorporohen në kuadër të këtij projekti”, ka thënë drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Çelë Lamaj.

Rezultatet e fituesit të konkursit të projektimit për ndërhyrjet në rrugën "Shaip Spahiu" janë publikuar verën e vitit të shkuar.

Komuna e Prizrenit planifikon që sivjet të fillojnë punimet për rehabilitimin e kësaj rruge.