Banorët këtu në Rekë të Allagës të Rugovës nuk janë fort të mësuar me qetësinë e ditëve të para të shtatorit.
Ndryshe nga vitet e kaluara, kur fshati ende ishte i mbushur me plot turistë, kryesisht të huaj, në këtë kohë në Rugovë vizitorët janë të paktë në numër.
Mustafë dhe Fetije Nikçi, 13 vjetët e fundit merren me turizmin malor.
Bashkë për gjatë këtyre viteve kanë zgjeruar biznesin familjar, dhe në bujtinën e tyre kanë hyrë e dalë qindra mijëra vizitorë ndërkombëtarë.
Nikçi tregon se rreth 2 mijë rezervime, kryesisht nga turistë gjermanë, janë anuluar këtë vit shkaku i pandemisë COVID 19.
Por me gjithë anulimet e shumta të vizitorëve të huaj, bujtina ka pritur shumë vizitorë vendës.
Koronavirusi ndikoi dukshëm në biznesin e familjes Nikçi, e cila nuk mban mend të ketë përjetuar ndonjë sezon me kaq pak turistë.
Kështu, ata gjatë këtij viti e kanë gjetur një formë tjetër për të shfrytëzuar të mirat e natyrës.
Te turistët vendës gjatë këtij viti është fokusuar edhe Ballkan Natural Adventure.
Nga kjo agjenci tregojnë se si koronavirusi ndaloi hovin e turizmit malor, që e kishte shndërruar rrethinën e Pejës në një ndër pikat kryesore të turizmit në Ballkan.
Rruga e Hekurt apo Via Ferrata, Zip Line, ngjitja në bjeshkë, janë vetëm disa nga atraksionet që ofron kjo rrethinë, e cila viteve të fundit ka tërhequr vizitorë nga mbarë bota dhe e ka kthyer Kosovën në hartat turistike më të veçanta sa i përket turizmit malor.